Këshilli i Ministrave pritet të miratojë tarifa të reja të rritura për shërbimet e Kadastrës, pas përditësimit më të fundit që i është bërë VKM-së përkatëse në shkurt të vitit 2021.
Burime nga Kadastra thanë se tarifat do të pësojnë një rritje të ndjeshme që varion nga 500 lekë për disa shërbime deri në 5000 lekë të reja për të tjera
Kështu për shembull, regjistrimi i kontratave të shitjes, të dhurimit, të shkëmbimit, të heqjes dorë nga pronësia, pjesëtimi i pasurisë etj. do të kushtojë 5000 lekë me tarifat e reja, nga 3500 që kushton aktualisht, pra një rritje me 30%. Tarifa e regjistrimit të aktit të trashëgimisë do të dyfishohet, nga 1000 lekë do të bëhet 2000 lekë.
Tarifat për regjistrimet e kontratave në procesin e kredimarrjes dhe hipotekimit do të pësojnë rritjen më të madhe në vlerë, deri në 5000 lekë më shumë.
Kështu, regjistrimi i kontratës se hipotekës për garantimin e kredisë se dhënë nga banka apo institucion tjetër kredidhënës, për kredi me vlerë deri në 1 milion lekë do të kushtojë 8000 lekë nga 7500 që ishte deri më sot; e njëjta kontratë por për shumën e kredisë deri në 10 milionë lekë do të kushtojë 17,000 nga 15,000 që ishte dhe regjistrimi i një njëjtës kontratë për kredi me vlerë mbi 10 milionë lekë do të kushtojë 30 mijë lekë ose 5 mijë lekë më shumë nga aktualisht.
Edhe lëshimi i certifikatave dhe vërtetimeve të pronësisë, që janë edhe dokumentet më të kërkuara dhe të përdorshme do të kushtojnë më shumë, ku tarifa për certifikatën e pronësisë do të kushtojë 3 mijë lekë ose dyfishin e tarifës së mëparshme.
Parashikohet që Agjencia Shtetërore e Kadastrës të rrisë në mënyrë të ndjeshme të ardhurat vjetore nga tarifat me rreth 35% më shumë.
Si me vendimin e mëparshëm, ashtu edhe me vendimin e ri, regjistrimi i një sërë aktesh janë të detyrueshme për t’u kryer brenda afateve të përcaktuara në legjislacion, përndryshe, për çdo ditë vonesë, aplikohet një kamatëvonesë prej 10% e tarifës. Gjithsesi, kamatëvonesa nuk mund të tejkalojë shumën 300 mijë lekë.
Gjithashtu, pritet të ndryshojnë edhe afatet se si disa institucione shtetërore të përcaktuara në vendim i shlyejnë detyrimet ndaj ASHK-së për shërbimet që marrin. Vendimi parashikon ndërprerjen e shërbimit nga ASHK-ja deri në përmbushjen e detyrimeve, në rast se ato nuk shlyhen në kohë. /ekofin.al