Në një kohë kur ekonomia shqiptare ka nevojë për një shtysë të fortë përmes rritjes së investimeve dhe mbështetjes ndaj sipërmarrjes përmes skemave dhe granteve që jep AIDA, buxheti i parashikuar për zhvillimin ekonomik në vitin 2026 do të reduktohet ndjeshëm, duke krijuar kështu vështirësi di për Agjencinë, ashtu edhe për vetë bizneset.
Në një kohë kur vendet e rajonit kanë shtuar investimet dhe po avancojnë për të mos humbur trenin e konvergjencës me bizneset evropiane dhe kur po bëhet progres për integrimin në tregun e përbashkët evropiane, bizneset shqiptare kanë nevojë për më shumë mbështetje financiare sidomos për të realizuar investime në inovacion, teknologji dhe rritje të kapaciteteve.
Sipas Programit Buxhetor Afatmesëm 2026- 2028, buxheti i Ministrisë së Ekonomisë për zhvillimin ekonomik, ku përfshihet kryesisht mbështetja për bizneset, i cili në këtë vir është rreth 676 milionë lekë, do të reduktohet në rreth 511 milionë lekë në vitin 2026 dhe parashikimi është për të qëndruar në këtë nivel edhe për vitet 2027 dhe 2028.
Kjo rënie vjen në një moment kur nevojat për mbështetje ndaj bizneseve janë më të mëdha se kurrë, nisur edhe nga kërkesat e tyre në rritje për kreditim, reflektuar në rritje të nivelit të kredive, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), të cilat përbëjnë edhe shumicën e bixneseve dhe pjesën kryesore të ekonomisë dhe punësimit në vend.
Ministria ka njoftuar se do të vazhdojë implementimin e programit “Mbështetje për Zhvillim Ekonomik” gjatë viteve të ardhshme, me fokus në rritjen e atraktivitetit të Shqipërisë si destinacion për investime të huaja, përmes pjesëmarrjes në rreth 50 panaire ndërkombëtare, road show promovuese, dhe vizitave pas investimit (after-care), si dhe monitorim efektiv investimesh.
Plani parashikon gjithashtu mbështetje direkte për bizneset, ku 65 NVM do të mbështeten me fonde publike, nga të cilat 26 do të jenë biznese të drejtuara nga gra, për të nxitur barazinë gjinore në sipërmarrje; përkrahje për bizneset përmes skemave të Fondit të Konkurrueshmërisë, me mesatarisht 15 përfitues në vit, si dhe për biznesin kreativ, me 10 biznese në vit, duke nisur nga viti 2026;
Ofrimi i 185 shërbimeve për bizneset përmes sistemit të regjistrimit elektronik gjatë periudhës 2026–2028, si dhe rritja e numrit të bizneseve të regjistruara, me objektivin për të arritur në 373 mijë subjekte të regjistruara deri në fund të vitit 2028, janë gjithashtu pjesë e programit.
Megjithëse programi mbetet ambicioz dhe synon të përmirësojë klimën e investimeve dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare në një treg më të gjerë, ulja e buxhetit ngre pikëpyetje mbi mundësinë reale për zbatimin e masave të parashikuara. /ekofn.al
