Gjatë një komunikimi me gazetarët, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani ka komentuar çështjen e Kodit të ri Penal. Ai theksoi se ka “parë qëndrimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe në shumë pika bie dakord me të”.
Dumani tha se SPAK-u do ta japë qëndrimin e vetnë momentin që të njihet zyrtarisht me draftin. Ai theksoi se prokurorët e posaçëm nuk janë përfshirë në grupin e punës për hartimin e tij.
Mes debatit për Kod të ri Penal apo ndryshime në këtë aktualin, kreu i Prokurorisë së Posaçme është i mendimit për të dytin.
Ai foli për ndryshime sa i përket marzhit të dënimit për shitjen e narkotikëve. Sipas tij, ajo nuk mund të jetë njësoj si me drogat sintetike që janë më të rrezikshme për jetën e njeriut.
“Normalisht që priten debate dhe diskutime përsa i përket Kodit Penal. Debati i parë që duhet të ishte bërë nëse nevojë për një Kod të ri Penal, apo duheshin bërë ndryshime në kodin aktual. Unë mendoj që duhen bërë ndryshime në Kodin Penal, pasi për shitje narkotikësh, duhet të ndryshohet vepra pasi nuk mund të ketë të njëjtin marzh dënimi si kanabisi, droga sintetike dhe kokaina. Mendoj që marzhin em të lartë duhet ta kenë dorgrat sintetike, që janë me të rrezikshme për jetën e njeriut. Në ende s’e kemi marrë zyrtarisht, kur ta kemi, do e analizojmë dhe do japim qëndrimin tonë në lidhje, ne nuk jemi përfshirë në grup pune”, tha Dumani.
Krimi zgjedhor ka qenë prioriteti kryesor i Prokurorisë së Posaçme gjatë gjithë procesit zgjedhor. Kështu u shpreh kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë një takimi me gazetarët. Ai theksoi se SPAK u angazhua që prej muajit mars dhe gjatë gjithë fushatës, me një strategji që synonte parandalimin e shkeljeve, dhe sipas tij, kjo strategji dha rezultat.
“Pritëm që KQZ të shpërndante mandatet dhe të konsiderohej i mbyllur procesi zgjedhor. Jeni informuar herë pas herë për krimin zgjedhor. SPAK ka qenë i angazhuar që në mars e deri në përfundim të procesit zgjedhor. Strategjia pati, së pari efekt parandalues, dhe e ka dhënë këtë efekt”, u shpreh Dumani.
Sipas tij, bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ishte efektiv, duke theksuar se janë administruar nga SPAK 193 materiale, në të cilat janë gjetur prova që janë në proces. Dumani theksoi gjithashtu se dy persona janë arrestuar në flagrancë, dhe janë marrë 16 vendime gjykate për kontrolle
“Janë 193 materiale të administruara në total. 80 materiale, kallëzime nga shtetasit. 10 të nisur kryesisht. Nga 43 të regjistruara, 1 është dërguar në gjyq, 1 i pezulluar, 1 i përcjellë për kompetencë. Janë arrestuar 2 vetë në flagrancë. 16 vendime gjykate për kontrolle. Rezultatet kanë qenë të kënaqshme. Janë gjetur prova për çështjet qe i kemi në proces”.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, deklaroi se po zhvillohen hetime intensive në lidhje me ngjarjet e 21 janarit 2011, konkretisht për dy vrasje, tre plagosje dhe pengim të zbardhjes së të vërtetës.
Ai theksoi se Prokuroria e Posaçme ka në vëmendje vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin e Aleks Nikës, një prej viktimave të protestës së asaj dite.
Ai bëri të ditur se është administruar një audio e siguruar nga gazetari Artan Hoxha, e cila është aktualisht në proces ekspertimi.
“Po kryhen hetime intensive për 2 vrasje, 3 plagosje dhe pengim të zbardhjes sa të vërtetës. SPAK ka parasysh vendimmarrjen e Strasburgur për çështjen Aleks Nika. Është administruar audio e paraqitur nga gazetari Artan Hoxha dhe është në ekspertim”, u shpreh Dumani në takimin me gazetarët.
Hetimi për ngjarjet e 21 janarit është rihapur nga SPAK një vit më parë, pas vendimmarrjes së Gjykatës së Lartë që urdhëronte Prokurorinë e Posaçme të hetonte një kallëzim të bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e të ndjerit Aleks Nika, njëri prej 4 viktimave të 21 Janarit.