Ish-presidenti Ilir Meta është thirrur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për t’u njohur me vendimin mbi mbylljen e hetimeve ndaj tij. Burime zyrtare bëjnë me dije se ai do të paraqitet në ambientet e SPAK ditën e hënë, më 4 gusht, në orën 11:00, ku do të shoqërohet nga avokati i tij mbrojtës, Kujtim Caktani.
Meta ndodhet në paraburgim që prej datës 21 tetor 2024 dhe pritet që në prani të përfaqësuesit ligjor të firmosë dokumentacionin që zyrtarizon përfundimin e hetimeve ndaj tij. Tashmë, çështja pritet të kalojë në fazën e gjykimit.
E njëjta procedurë është ndjekur pak kohë më parë edhe për ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, si dhe për ish-deputetin Piro Xhixho, të cilët po hetohen në të njëjtën dosje penale.
Detaje të mëtejshme mbi përfundimet e hetimeve pritet të bëhen publike nga SPAK në ditët në vijim.