Kryeministri Edi Rama komentoi sot, më 1 gusht, draftin e Kodit të ri Penal, pas shumë zërave që janë shprehur kundër tij. Kreu i qeverisë sqaron se për hartimin e draftit nuk ka marrë pjesë as qeveria dhe as Ministria e Drejtësisë.
Ai bën me dije se ajo iu besua një grupi ekspertësh nën udhëheqjen e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi.
Rama thekson se qeveria është njëra nga shumë palët në proces, e cila ka marrë draftin dhe po e studion për të ballafaquar më pas qëndrimet e saj.
“Kështu, hëpërhë qeveria është thjeshtë njëra nga shumë palët në këtë proces dhe e kemi marrë e po e studiojmë draftin, për të ballafaquar më pas qëndrimet tona me ato të grupit të ekspertëve”, shkruan Rama.
Të njëjtën gjë u bën thirrje të bëjnë edhe shoqatat e lirisë së shtypit, të cilave ua ka dedikuar këtë reagim.
“Në këtë fazë, në vend se të alarmohen duhet të ndjehen shumë të lehtësuara e të respektuara, sepse kanë të gjithë kohën e nevojshme për ta studiuar e pastaj ballafaquar draftin e Kodit të Ri Penal me grupin e punës”, shkruan Rama.
Njësoj duhet të bëjnë edhe palët interesuara brenda sistemit. Duke nënkuptuar reagimet e Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, atij të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, që janë shprehur kundër kodit të ri, Rama thotë se “në vend se të japin deklarata sa të nxituara aq edhe qesharake për shtyp, bëjnë mirë të ulen me grupin e ekspertëve dhe të ballafaqojnë opinionet e tyre”.
“Ky është një proces demokratik dhe transparent, ku kush do të kontribuojë për një Kod të Ri Penal për Shqipërinë 2030 në BE i ka rrugët e hapura e të gjithë kohën e nevojshme, ndërsa kush do të bëjë zhurmën e vet mund ta bëjë, se demokracia i ka edhe zhurmuesit e vet, po s’mund të thotë dot që s’na pyeti kush”, tha Rama.
Ndër të tjera, kryeministri thotë se pasi të bëhen të gjitha ballafaqimet e grupit të punës me palët e interesuara dhe në pavarësi të plotë nga qeveria, “Ministria e Drejtësisë do ta marrë draftin e rishikuar e do ta konsultojë natyrisht edhe me Komisionin Europian, sepse pa vulën e Brukselit drafti nuk shkon dot në parlament”!
“Kështu që miq të shoqatave të shtypit rrini të qetë se nuk ju vjen dot asnjë e keqe nga Kodi i Ri Penal, në Shqipërinë që po shkon në BE dhe jo në BRSS”, përfundon reagimi i tij.
Si u shndërrua drafti i Kodit të ri Penal në temë debati
Ministria e Drejtësisë prezantoi një draft të Kodit Penal më 25 korrik. Pas kësaj i pari që reagoi dhe doli kundër ishte Olsian Çela, Prokurori i Përgjithshëm.
Ai tha se “Kodi i ri ka frymë represive dhe cenon sigurinë juridike”.
Çela thotë se ashpërsimi i dënimeve me burgim nuk është zgjidhja e vetme dhe më e mirë për morinë e problemeve që kalon vendi, në një kohë kur kemi një nga kodet me dënime nga më të ashpra në nivel evropian.
Po ashtu thekson se më tepër se për një Kod të ri Penal, sot vendi ka nevojë urgjente për ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale, për të korrigjuar gjërat që po shkojnë keq në funksionimin e tij dhe për të lehtësuar proceset nga burokracitë e panevojshme, që po ndikojnë në zvarritjen e hetimeve dhe gjykimeve.
Qëndrimin e Olsian Çelës, e mbështeti edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani. Ai pohoi se nuk e kanë në dorë draftin e ri, ndërkohë që pasi ta studiojnë do të kenë një qëndrim mi të.
Kundër doli edhe Dhoma e Avokatisë. “Është represiv. Edhe po ta krahasojmë me Kodin aktual, ka dënime të larta. Ka nene që parashikojnë dënime 1 deri në 20 vite, dhe më pas, nëse shtohet edhe një rrethanë, shtohet 1 e 2. Ka dispozita të gjata, të pakuptueshme dhe ka nene tepër diskriminuese”, tha kreu i saj, Maks Haxhia.
Ndërkohë Sali Berisha është shprehur se kodi i ri penal dyfishon dhunën ligjore mbi qytetarët.
