Policia ka arrestuar bashkëpunëtorin e autori të plagosjes me armë zjarri të 28-vjeçarit Juglen Abazi ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 2 gushtit në rrugën “Thoma Filipeu”, në zonën e Freskut.
Në pranga ka rënë 26-vjeçari Andi Gurra, i cili ishte shpallur në kërkim nga uniformat blu.
Ndërkohë autori i dyshuar i ngjarjes 26-vjeçari Klejvis Caka (Lusha), banues në Tiranë, vijon të jetë ende në kërkim nga policia.
“Në vijim të hetimeve për ngjarjen e ndodhur më datë 02.08.2025, në zonën e Freskut, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi J. A., Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Jetës dhe Pronës arrestuan në flagrancë shtetasin në kërkim A. G., 26 vjeç, i cili dyshohet si bashkëpunëtori i shtetasit K. C. (L), i shpallur në kërkim si autor i dyshuar i plagosjes.Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes”, njoftuan blutë.
Klejvis Caka (Lusha) akuzohet për veprat penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërkohë blutë njoftuan më 3 Gusht se ishte arrestuar në flagrancë 27-vjeçari Xhonatan Qerimi, banues në Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasit Xhonatan Qerimi dhe Andi Gurra kanë ndihmuar autorin e dyshuar të largohet nga vendngjarja”, informuan blutë ditën e djeshme.