SHPENDI TOPOLLAJ
Qysh pas 11 majit, nuk kanë të sosur diskutimet rreth parregullsive të zgjedhjeve. Dhe mesa duket, debatet do të vazhdojnë gjatë; pala fituese e quan rezultatin fitore spektakolare, kurse pala humbëse, shpreh bindjen dhe jep fakte se zgjedhjet u manipuluan, dhe më keq akoma, u vodhën. Nëpër ekrane shfaqen çdo natë po ato fytyra, tashmë monotone dhe të konsumuara, që rrahin ujë në havan, duke mbajtur anën e forcës politike që përfaqësojnë.
Tani u bë modë që ky avaz përsëritet me të njëjtën muzikë dhe njerëzit e kanë humbur interesin për të. Ajo që ata e kanë të qartë është fakti se opozita është shumë e dobësuar dhe qeverisë askush nuk mund t‘ia ndalë vrullin në revanin e saj voluntarist, i cili dashje pa dashje po na shpie në pikën e nisjes. I pari i qeverisë, duke qenë në krye për të katërtën herë radhazi, i sigurt me ato 83 mandatet e besnikëve të tij, dhe duke përqendruar gjithçka në dorën e vet, nuk ka se si t‘i shpëtojë grackës afrodiziake të pushtetit, sikurse mësonte Henri Kisinxheri dhe sikurse ka ngjarë rëndom në histori. Puna ka arritur deri atje, sa ai të shpikë teori të habitshme se qeveria gjykohet nga qëndrimi që mban ndaj të korruptuarve. Pra, asnjë përgjegjësi për bashkëpunëtorët e tij më të besuar që i zgjodhi me dorën e vet dhe i paraqiti si anëtarë të një skuadre drejtuese fantastike. Opozita, shkon nga shkon, dhe ka rreshtuar edhe këtë radhë, thuajse po ato mimika të lodhura dhe pa pikë energjie. Në të tilla kushte është e kuptueshme, se ajo më e lehta, sherri në Parlamentin e ri, do të jetë i pranishëm, në mos dhe më i egër. Seancat parlamentare do të kthehen në estradë dhe njerëzit duke u gajasur me deputetët kukulla pa identitet, do t‘i japin karar duke thënë se çdo popull ka qeverinë që meriton.
Kryeministri do të vazhdojë me slloganin se unë dhe askush tjetër, do t’u fus në Evropë, kurse opozita do të vazhdojë ku të mundet, të bindë të huajt se nuk jemi gati për t’u pranuar në familjen evropiane, pasi kemi narkoshtet. Është po ajo sjellja e pështirë e opozitës së djeshme që për gjoja ca kuti votimesh atje në Ruzhdie, një fshat në Myzeqe që kurrë nuk ia kishim dëgjuar emrin, na la nja tre vjet pa hequr vizat, dëm i pallogaritshëm ky, por që shpesh harrohet. Shkurt, palët me këmbëngulje, kopjojnë dhe akuzojnë njëra – tjetrën si shkaktare të kësaj situate që po mbjell vetëm ngatërresa dhe përçarje në popull, përçarje që drejtuesve të partive politike u intereson për ta mbajtur elektoratin të karikuar. Kurse ata që marrin përsipër që ta analizojnë gjendjen e krijuar, nxjerrin lloj – lloj arsyesh që kushtëzuan dështimin e opozitës, ku midis të tjerave theksojnë konsumimin e saj, mungesën e ideve, mosorganizimin e strukturave, punën e dobët në bazë, ndarjen e zonave elektorale, marrëveshjen për ligjin elektoral me listat e hapura e të mbyllura, nepotizmin, mos respektimin e asaj që doli nga primaret, “non gratën” e kryetarit të saj që me thënë të drejtën, e ka humbur kuptimin, përpjekjet e tij për ta shfrytëzuar partinë për interesa personale, e deri moshën e tij, etj. Dhe konkludojnë se kryetari historik duhet larguar.
Mendimi im është që do të ishte me leverdi që të dy udhëheqësit e forcave politike kryesore të jepnin njëkohësisht dorëheqjen. Por në kushtet ku ndodhemi, ikja vetëm e atij të opozitës, do të sillte shkërmoqjen e PD. Kjo na bën të sjellim ndërmend (jo për krahasim, por për kujtesë historike), seç ngjau pas fjalëve të Aleksandrit të Madh në vitin 323 p.e.s, kur e pyetën në shtratin e vdekjes se kujt do t‘ia lësh mbretërinë dhe tha: Më të fortit! Të jemi realistë: edhe të rinjtë i pamë sesi u përleshën për një dhe vetëm një mandat. Po ashtu, disa shkojnë dhe më tej, për të mos thënë se bëjnë edhe diversion, duke nxitur krijimin e një opozite të re. Madje arrihet deri atje, sa të thuhet se ka një dakordësi të padeklaruar mes krerëve kundërshtarë që të ruajnë këtë status quo. Ato që nuk përmenden në të gjitha diskutimet e pretendimet, kur kërkohen arsyet e këtij rezultati të dëmshëm për vendin e demokracinë, dhe që janë shkaku i vërtetë, çuditërisht nuk thuhen as nga ata të pozitës, por edhe nga vetë ata të opozitës. Personalisht, në një artikull të botuar disa kohë para ditës së zgjedhjeve, kam theksuar se edhe sikur gjithçka të bëhet me ndershmëri, korrektesë dhe në përputhje me ligjin elektoral, përsëri fituese do të jetë Partia Socialiste. Sot po shtoj, se edhe sikur ato të përsëriten, po ajo do të jetë fituese.
Dhe ja pse: Rezultati i zgjedhjeve, në analizë të fundit, është aritmetikë. Partia Socialiste është po ajo, pra me disiplinën dhe kompaktësinë e trashëguar nga e kaluara. Por edhe me urrejtjen dhe frikën e pandryshuar nga “forcat reaksionare dhe kolaboracioniste”. Nuk duan t’ua dëgjojnë emrin pasanikëve, kulakëve dhe bejlerëve të djeshëm edhe pse shumë prej tyre ua kanë kaluar atyre për nga pronat që zotërojnë. Pinjollët e nomenklaturës kanë zënë pozitat kyçe në drejtimin e vendit, kurse administrata e fryrë dhe efeciente është “pushtuar” nga anëtarë partie, patronazhistë e simpatizantë të PS. Në kohën e shndërrimit, pak a shumë, këtë bëri dhe PD, por që tani kjo u bë modë. Frika se po erdhën ata “gogolët”, do të na heqin nga puna, dhe do të na prishin qetësinë, i ka mobilizuar edhe organizatat e shoqatat e njohura që mbeten rripa transmisioni të PS dhe që në çoroditjen e tyre ideologjike dhe plot pikëpyetje e dyshime, janë unitarë në mendimin e rolit të madh të shokut Enver. Për më tepër, hiqen sikur pala tjetër po zbeh rëndësinë e luftës nacional – çlirimtare dhe po zhvleftëson gjakun e atyre që dhanë jetën për liri, kur dihet se atë luftë dhe ato sakrifica, lavdia do t‘i ndjekë pas gjithë jetën.
Sillet si argument, përcaktimi i ri i datës së çlirimit nga e djathta, që realisht, nuk kishte pse të merreshin me të. Gjithsesi, edhe vetë nuk e besojnë se si mund të bashkëjetojnë komunizmi shqiptar me SHBA dhe NATO – n. Apo, sesi mund të nderohen njësoj Komandanti i ushtrisë partizane me komandantët e komisarët atdhetarë të formacioneve të mëdha të asaj ushtrie, që thuajse shumica u pushkatuan, u burgosën apo u internuan familjarisht, duke u damkosur si tradhtarë. Bëjnë sikur nuk e mbajnë mend varfërinë, luftën e klasave, spiunllëqet, izolimin e pashembullt, gjyqet e pafund, zemërimin me botën mbarë etj. etj. dhe identifikojnë gjithçka me punën e tyre të ndershme dhe pse jo, edhe privilegjet që mund të kishin falë detyrave që u ishin besuar. Ka mes tyre edhe nga ata që i shërbyen me devotshmëri dhe egërsi asaj diktature, duke u bërë mashë në dorën e saj dhe e komprometuan veten keq. Pastaj, duhet pranuar se në tërësi, prirja e popullit tonë anon nga e majta.
Nga ana tjetër, PD duket se nuk e kupton se koha e viteve 90 – të, kur komunizmi e kishte shpënë vendin në zgrip, dhe atë e votuan jo vetëm masa më e madhe e popullit, por edhe një pjesë e konsiderueshme e komunistëve, i ka mbetur historisë. Sot, rrethanat ekonomike, sociale dhe politike kanë sjellë realitete të reja, ku shumë nga përkrahësit e saj ndihen të zhgënjyer, janë të pakënaqur, nuk kanë interes fare se kush do të fitojë apo i janë kundërvënë asaj ngaqë nuk janë më deputetë, ministra, funksionarë partie, drejtorë e ambasadorë. Ata, tani dalin ekraneve dhe faqeve të gazetave dhe vjellin vrer, duke bërë thirrje për të mos e përkrahur drejtuesin e PD. Kjo është Shqipëria dhe kjo është mosmirënjohja tipike e jona. Kam njohur e takuar plot edhe nga ata që janë persekutuar dhe tani nuk e kanë për gjë të shprehen se shtet bëri diktatori, ai ishte burrë. Po, në sistemin njëpartiak, ku shkruhet qysh në krye se jemi shtet i diktaturës së proletariatit, kush nga udhëheqësit me pushtet të pakufizuar, nuk bëhet burrë?
Nuk pranohet gjithashtu haptazi dhe pa drojë, as nga ata që luajnë rolin e opinionistëve dhe as nga ana e politikanëve, sidomos në opozitë, se para futjes në zgjedhje, për shpartallimin e të djathtës shqiptare, ndikoi edhe loja e pandershme dhe e pakuptueshme e Departamentit të Shtetit në kohën e presidentit Bajden dhe e vënë në zbatim paturpësisht nga ambasadorja që na poshtëroi me sjelljen dhe përzierjen e saj në punët tona, Juri Kim. Pështjellimi që ajo krijoi, duke gjetur edhe ndonjë marionetë mosmirënjohëse dhe të pafytyrë e pa pikë dinjiteti, ja kaloi dhe asaj që na bëri vetë Sudja. Se tek e fundit, Sudja nuk dëmtoi aspak imazhin tonë për SHBA, kurse Juri Kim e krisi keq atë. Politika amerikane e asaj periudhe e bazuar te thënia e vjetër e Filipit të Maqedonisë dhe të zbatuar mrekullisht nga romakët, “Divide et impero”, i bëri palët akoma më agresive dhe akoma më të nënshtruara.
Ndërsa demokratët janë në kërkim të ndonjë parcele me bar të njomë, krerët socialistë krekosen sheshit se po festojnë 103 vjetorin e miqësisë me Amerikën, duke hedhur pas krahëve, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë, ai gati gjysmë shekulli, kur ata na kishin në grykën e pushkës dhe ne i kishim në grykën e topit. Kurse këta demokratët, pa ua kërkuar kurrkush, por vetëm për të shprehur besnikërinë pa kufi ndaj SHBA, gjë që ata e kanë, shpallin se në barbarinë kriminale të Natanjahut ndaj popullsisë së Gazës, në gjenocidin që po tmerron botën mbarë, janë me Izraelin, pra me agresorin e pashpirt që vret sikur të ishin lepuj, mijëra e mijëra fëmijë të uritur që presin të marrin një tas supë nga kazani i mëshirës, vetëm nga frika se mos i mbetet qejfi amerikanëve. Me të drejtë dikush mund të pyesë: ti mik i nderuar që na jep mend, si mendon se do të dalim nga kjo situatë? Modestisht po përgjigjem: grindjet për rezultatet e zgjedhjeve duhen ndërprerë. Kërkesa për zgjedhje të reja është absurde.
Krijimi i qeverisë teknike është muhabet koti. Përparime ka dhe nuk mund të mohohen, por Shqipëria ka probleme shumë më madhore tani që zgjedhjet thuajse u certifikuan, siç është Dardania e kërcënuar nga Vuçiçët, përpjekjet e vendosura për mundësimin e bashkimit kombëtar, dhe ato diplomatike për njohjen e shtetit të Kosovës, rritja e rolit të Presidentit, aktualisht të zhveshur nga të gjitha kompetencat, mos lejimi i ngritjes së Kultit të neveritshëm të Personit, ringjallja dhe fuqizimi i ushtrisë për të mbrojtur atdheun pa i varur shpresat te kushdo qoftë, rishkrimi me vërtetësi i historisë tonë, frenimi i largimeve nga vendi, të kuptuarit e reformës në drejtësi, jo thjesht për të ndëshkuar disa politikanë të korruptuar, por për t‘u shërbyer në kohë qytetarëve, afrimi i investitorëve të huaj, rishikimi i pensioneve skandaloze dhe lëmoshave të ndihmës sociale, kthimi i vëmendjes nga problemet e fshatit dhe sidomos nga gjetja dhe disiplinimi i tregut për prodhimet tona, kontrolli i përdorimit të OMGJ – ve, ilaçeve dhe shërbimit spitalor, forcimi i rolit të mësuesit në shkolla dhe rishikimi i programeve mësimore, ndalimi i emisioneve televizive që janë të pamoralshme për rininë tonë, interesim dhe përkrahje më serioze kulturës tonë, pakësimi i fenomenit të lypjes, puna e pareshtur për qarkullimin rrugor, ku çdo ditë po ndodhin aksidente që marrin jetë njerëzish, zbatimi i parimit të pavarësisë së pushtetit vendor, kryerja me kompetencë sipas ligjit e detyrave nga çdo nëpunës shteti, caktimi i punonjësve sipas meritokracisë dhe jo bindjeve partiake, përgjegjësi personale për largimet e padrejta nga puna, respektimi i mendimit të lirë etj. etj. deri te përpjekjet për frenimin e fenomenit të gjakmarrjes. Dhe mbi të gjitha, duhet përpiluar e miratuar një ligj i domosdoshëm për mundësinë e zgjedhjes në krye të qeverisë jo më shumë se dy mandate. Po këtë duhet ta sanksionojnë edhe statutet e partive politike për zgjedhjen e kryetarëve.
Një i quajtur Andreas Vucinas, ashtu si me të qeshur thoshte për ata që nuk dinë të largohen nga pushteti se “Karriget krijojnë hemoroide në tru”. Epo ja; këto hemoroide në tru na bëjnë ta shohim tjetrin si armik e jo si vëlla dhe të ulemi me të, të bisedojmë, të shkëmbejmë mendime, të debatojmë pa fyerje e sharje dhe të punojmë së bashku për këtë vend e për këtë popull, pa e mërzitur atë e pa e ndërsyer në kacafytje që nuk i vlejnë askujt. Dhe këtë detyrë e ka si pozita me atë fitoren spektakolare, ashtu edhe opozita me ata 50 deputetët e saj (që nuk kanë përse t‘ia lënë tërë oponencën kryetarit), të cilët po të thonë fjalë të urta, të vërteta, të guximshme e të mençura, nuk janë dhe aq pak për një Parlament të një vendi të vogël si ky yni.