Më shumë se 16 udhëtime të trenave të Eurostar janë anuluar sot, ndërsa rrjeti hekurudhor është përballur me ndërprerje dhe vonesa deri në 1 orë e 50 minuta, për shkak të një problemi serioz në sistemin e furnizimit me energji elektrike.
Sipas kompanisë franceze SNCF Réseau, shkaku është një “defekt në linjën ajrore të kontaktit”. Ekipet teknike ndodhen në vendngjarje për të lokalizuar problemin dhe për të nisur riparimet sa më shpejt të jetë e mundur.
Të paktën 16 trena të Eurostar që lidhin Parisin me Londrën, Brukselin dhe Amsterdamin janë anuluar deri në orën 19:00, ndërkohë që dy trena që kishin nisur udhëtimin në linjën Paris–Bruksel dhe Bruksel–Paris u detyruan të kthehen në stacionet e tyre fillestare, sipas asaj që ka njoftuar kompania franko-britanike.
SNCF ka nisur krijimin e itinerareve alternative për të menaxhuar situatën, por deri në mesditë nuk kishte asnjë parashikim se kur do të normalizohej qarkullimi hekurudhor.