Milan po përgatitet për një sezon të ri ambicioz në 2025/26, me një formacion të mbushur me yje dhe përforcime të bujshme.
Sipas raportimeve të fundit, nëse realizohen të gjitha objektivat e merkatos, kuqezinjtë do të kenë një formacion tejet konkurrues, ku në mesfushë do të vendoset talenti shqiptar me pasaportë zvicerane, Ardon Jashari.
Në skemën 3-4-3 të projektuar, Jashari është vendosur në zemër të mesfushës përkrah legjendës kroate Luka Modric, duke formuar një dyshe që kombinon freskinë, energjinë dhe saktësinë me përvojën dhe vizionin.
Përpara tyre do të veprojnë treshen sulmuese të përbërë nga Rafael Leao në të majtë, Kristian Pulisiç në të djathtë dhe Rasmus Hojlund në qendër (nëse realizohet transferimi nga Mançest Junajtid) – një repart ofensiv me ritëm të lartë dhe kapacitet të madh shënues.
Në krahët e mbrojtjes do të pozicionohen Estupinan dhe Jimenez, të cilët ofrojnë shpejtësi dhe stabilitet në të dy fazat e lojës.
Përfshirja e Ardon Jasharit në këtë formacion nuk është vetëm simbol i potencialit të tij, por edhe dëshmi e besimit që drejtuesit kuqezinj kanë tek ai për të qenë lideri i ri i mesfushës milaniste.
Kjo është një mundësi e artë për reprezentuesin e Zvicrës me origjinë shqiptare që të shkëlqejë në një nga skenat më të mëdha të futbollit evropian.
Nëse ky formacion konkretizohet, Milan pritet të jetë një nga skuadrat më interesante për t’u ndjekur në Serie A dhe në arenën ndërkombëtare.