Mijëra njerëz në Kinën jugore janë infektuar me një virus i cili po përhapet nga mushkonjat.
Sipas mediave të huaja mësohet se shpërthimi i fundit i virusit chikungunya ka infektuar më shumë se 7 mijë persona në qytetin jugor kinez të Foshanit, me raste sporadike në qytete dhe komuna të tjera fqinje në pronvincën Guangdong.
Frika dhe ankthi te qytetarët është rritur ndjeshëm, kjo për shkak të përhapjes së shpejtë të virusit. Ndonëse nuk mund të transmetohet nga njeriu te njeriu, gjërat po ndryshojnë me shpejtësi dhe numri i të infektuarëve po rritet ndjeshëm.
Që prej korrikut, provinca Guangdong në Kinë ka raportuar më shumë se 7 mijë raste të virusit chikungunya, duke çuar vendin në masa të ngjashme me ato gjatë pandemisë së Covid-19.
Në qytetin Foshan, pacientët duhet të qëndrojnë në spitale, të mbrojtur nga rrjetat kundër mushkonjave, dhe lejohen të largohen vetëm pasi testet e tyre të dalin negative ose pas një qëndrimi njëjavor. Virusi mund të shkaktojë ethe dhe dhimbje të forta të kyçeve.
Virusi zakonisht në të shumtën e rasteve shkakton lodhje, ethe, skuqje, dhimbje koke, ënjtje të kyçeve, dhimbje muskujsh dhe kyçësh. Shumica e njerëzve përmirësohen brenda një jave, por ka dhe disa nga ata që dhimbja mund t’u zgjasë me muaj ose vite.
Të moshuarit, ata me probleme mjekësore, përfshirë diabetin ose sëmundjet e zemrës, dhe të porsalindurit janë ndër ata që janë në rrezik për sëmundje më të rënda.