“Daily Mail” i kushton një artikull të gjatë arrestimit të Klevis Hoxhosmanit, dhëndrit të ish-ministres Majlinda Bregu, për trafik ndërkombëtar kokaine me vlerë mbi 350 milionë paund.
Gazeta britanike “Daily Mail” i ka kushtuar një artikull të detajuar arrestimit të Klevis Hoxhosmanit, 37 vjeç, një shqiptar i pasur me disa biznese në Mbretërinë e Bashkuar, i cili është në një lidhje me Kejda Ajazin, vajza e Majlinda Bregut, ish-ministre e Integrimit Evropian dhe ish-deputete e Partisë Demokratike në Shqipëri.
Artikulli, i publikuar më 3 gusht 2025 dhe i përditësuar në orët e para të së njëjtës ditë, raporton arrestimin e Klevisit dhe vëllait të tij Artur Hoxhosmani, 42 vjeç, nga strukturat kundër krimit të organizuar në Shqipëri, për përfshirje në një rrjet të sofistikuar ndërkombëtar droge që dyshohet se ka trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt Britanisë dhe Bashkimit Evropian.
Sipas burimeve zyrtare që citon gazeta, grupi kriminal në fjalë ishte përfshirë në dërgesa që shkonin deri në 250 kg kokainë, të kapura në Francë në prill 2020, ndërsa droga transportohej përmes porteve evropiane dhe kalonte në Britani përmes Tunelit të Kanalit. Metoda e përdorur për pagesat ishte sistemi Hawala, ndërsa për komunikim përdornin platformën e koduar Sky/ECC.
“Daily Mail” ka nxjerrë në pah edhe mënyrën e jetesës luksoze të çiftit Hoxhosmani–Ajazi, të cilët shfaqen rregullisht në Londër, Dubai dhe Monako me veshje firmato dhe makina luksoze, përfshirë një supermakinë nga ku janë filmuar duke dalë në rrugët e Monakos. Gazeta përmend gjithashtu lidhjet e Hoxhosmanit me biznese në Britani, përfshirë:
• Crystal Hand Car Wash (2013–2015)
• Barrack Road Tyres në Christchurch (ish-drejtor)
• Opa Coffee Limited, aktualisht e regjistruar në një dyqan të zbrazët në Bournemouth
Po ashtu, artikulli e risjell në vëmendje një dënim të mëparshëm të Klevisit në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2014 për sulm ndaj një gruaje, për të cilin ai ishte dënuar me një urdhër komunitar dhe 60 £ gjobë. Në pjesën tjetër të shkrimit, gazeta thekson deklaratat e prokurorëve shqiptarë Altin Dumani dhe Adnand Xholi, të cilët flasin për një strukturë hierarkike të mirëorganizuar kriminale, me ndikim në disa kontinente dhe mbështetje nga punonjës doganash dhe portualë. Sipas SPAK, janë identifikuar të paktën 16 anëtarë të këtij rrjeti, ndërsa bashkëpunimi ndërkombëtar me EUROPOL, EUROJUST dhe agjencitë britanike të zbatimit të ligjit ka qenë thelbësor për suksesin e hetimit.
Midis pasurive të sekuestruara janë:
• Një jaht luksoz
• Një Mercedes Benz AMG G63, VW Golf 7, VW Sharan
• 16 telefona, 19 karta bankare, 2 orë të shtrenjta, 3 armë zjarri
Të arrestuarit e tjerë përveç vëllezërve Hoxhosmani janë Plarent Dervishi dhe Erion Alibej, ky i fundit aktualisht bashkëpunues me drejtësinë. Ndërkohë, dy persona të tjerë – Elidon Skëndajdhe Ilir Lloshi – janë ende në kërkim nga autoritetet shqiptare.
Kujtojmë se një javë më parë VNA raportoi detaje ekskluzive mbi operacionin, duke zbuluar emrat e plotë të të arrestuarve, përfshirë të ashtuquajturit “VIP”, lidhjet e tyre me biznese dhe politika, si dhe faktin se një pjesë e pasurisë së grupit ishte e kamufluar në biznese të ligjshme, në dukje të padëmshme, që operonin në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe Britanisë.