Të gjithë punonjësit e administratës në 2 vitet e ardhshme do të kenë paga më të mira shpërblime dhe orare fleksibël. Me qëllim reformimin e administratës publike dhe rritjen e mirëqenies qeveria ka përgatitur një strategji të posaçme.
Botuar në Fletore Zyrtare, e titulluar Strategjia Ndërsektoriale e Reformës në Administratës Publike për periudhën 2025–2027, ky dokument parashikon një kosto 9.27 miliardë lekë ose thënë ndryshe 95.3 milionë euro për 2 vitet e ardhshme.
Strategjia synon të përmirësojë menaxhimin e burimeve njerëzore, zhvillimin e politikave publike, digjitalizimin e shërbimeve dhe krijimin e një administrate të qëndrueshme e miqësore me mjedisin.
Por ndalur tek nëpunësit sfidë për administratën publike mbetet që rekrutimet të bëhen në bazë merite, konkurrencë dhe transparence. Ndërsa parashikohet që paga më të larta dhe më shumë shpërblime do të vihen në dispozicion. Sipas Strategjisë, do të vijohet me konsolidimin e punës fleksibël që synon balancën më të mirë mes jetës profesionale dhe asaj personale për nëpunësit publikë. Në po të njëjtin drejtim, do të vlerësohet edhe mundësia për të minimizuar orarin e punës për disa institucione/pozicione specifike
Strategjia e reformës në administratën publike
“Sistemi i pagave për nëpunësit civil është i rregulluar qartë. Paga llogaritet sipas pozicionit të punës së nëpunësit, sistem i njëjtë edhe për institucionet e qeverisjes vendore.”
Për të krijuar një shërbim publik inovativ dhe tërheqës në treg, do të synohet digjitalizimi i mëtejshëm i administratës publike me në fokus punonjësin. Përtej nismave të ndërmarra deri më tani.
“Në mënyrë që të garantohet një përdorim më efektiv të shërbimeve digjitale, duhet të ndërmerren hapa për fuqizimin e aftësive digjitale të qytetarëve dhe punonjësve të administratës publike, duke siguruar rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet e përdorimit të teknologjisë. Në masat për sigurinë digjitale duhet të përfshihen edhe parashikime të qarta, duke vendosur standarde të përbashkëta për të siguruar një shërbim të besueshëm dhe të sigurt, duke garantuar privatësinë e qytetarëve në të gjitha ndërveprimet e tyre digjitale.”
Kostoja totale e strategjisë do të shpërndahet në 5 drejtime kryesore ku pjesën më të madhe të tortës e merr zëri I shërbimeve dhe digjitalizimi me 7.3 miliardë lekë pasuar nga llogaridhënia dhe mbikëqyrja 1 miliardë lekë dhe pjesa e mbetur për menaxhimin e burimeve njerëzore, koordinimin e politikave dhe administratën e gjelbër.