Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, deklaroi sot se çdo marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për përfundimin e luftës në Ukrainë duhet të përfshijë detyrimisht edhe Ukrainën dhe Bashkimin Evropian.
Në një deklaratë për media, Kallas theksoi se çështja nuk është vetëm për sigurinë e Ukrainës, por për të gjithë Evropën. Ajo shtoi se SHBA ka fuqinë për të detyruar Rusinë të ulet seriozisht në tryezën e bisedimeve.
“Çdo marrëveshje mes SHBA-së dhe Rusisë duhet të përfshijë Ukrainën dhe BE-në, sepse kjo është një çështje që prek sigurinë e përbashkët evropiane,” tha Kallas përmes një deklarate dërguar me email.
Ajo njoftoi gjithashtu se nesër (e hënë) do të thërrasë një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së për të diskutuar hapat e ardhshëm në lidhje me situatën në Ukrainë.