HomeAktualitetKryqëzimi i mësuesit, poetit, shkrimtarit disident Havzi Nela 37 vite më parë/Nga...

Kryqëzimi i mësuesit, poetit, shkrimtarit disident Havzi Nela 37 vite më parë/Nga Bujar Leskaj

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Nga Bujar Leskaj
37 vite më parë, në 10 Gusht 1988, mësuesi poet, ndër të paktët shkrimtarë disidentë që ka shënuar Shqipëria e periudhës komuniste, Havzi Nela, u var në litar.

Trupi i tij u mbajt gjithë ditën i varur në qendër të qytetit të Kukësit.

Por e keqja s’kishte fund.

Trupin e tij e morën dhe e futën vertikalisht në një vrimë të krijuar nga heqja e një shtylle druri duke i privuar mundësinë për t’u shtrirë si të gjithë të vdekurit.

Qëndroi në atë mënyrë për pesë vite e dhjetë ditë, deri më 20 gusht 1993.

37 vjet pas varjes në litar të poetit të fundit antikomunist në Evropë, të poetit shpirtlirë të “brezit të humbur” të periudhës së zezë komuniste shqiptare; poetit, që asnjëherë nuk iu nënshtrua regjimit komunist, dhe e luftoi me të gjitha mënyrat që kishte mundësi, ende debatojmë për krimet e komunizmit dhe autorët e tyre.

37 vite më pas, Shqipëria postkomuniste ende vazhdon të vuajë nga bijtë e etërve komunistë, ndoshta më të sofistikuar, por po aq të ligj, antinjerëzorë, antishqiptarë e vrasës sa etërit e tyre, të cilët dënuan, firmosën e varën Havzi Nelën!

***

Në librin “Kryqëzimi i Havzi Nelës” me autor Petrit Palushin, i cili na sjell një portret të thellë dhe të pasur të poetit disident, i cili e pagoi me jetën pas qëndrimit të tij të pathyeshëm kundër diktaturës komuniste. Havzi Nela, mësues dhe poet, u bë një simbol i lirisë dhe i shpirtit të patrembur, duke e shprehur luftën e tij për mendimin dhe shprehjen e lirë përmes poezisë. Ekzekutimi i tij mizor më 10 gusht 1988, vetëm tri vjet para rënies së regjimit komunist në Shqipëri, ishte një moment tragjik, por edhe një moment i fuqishëm dëshmie për të ardhmen.

Palushi nuk e ka sjellë këtë libër si një thjesht biografi të poetit, por si një pasqyrë të një periudhe të errët të historisë shqiptare, ku poezia dhe arti u bënë mjet i disidencës. Ai thekson se poeti Havzi Nela nuk kërkonte të ishte hero, por ai thjesht donte të ishte vetvetja, një individ që e shprehu betejën e tij me një regjimin të dhunshëm përmes vargjeve dhe qëndrimit të tij të pathyeshëm.

Nëpërmjet vargut të tij, poeti arriti të kalonte përtej kufijve të vdekjes fizike. Vargjet e Havzi Nelës mbijetuan përmes kohës dhe u bënë një dëshmi për dhunën dhe terrorin që pësoi Shqipëria nën regjimin komunist. “Sheshi ku e varën… mori pamjen e një Shqipërie në miniaturë,” shkruan Palushi, duke nënvijëzuar se ngjarja tragjike e varjes së poetit përfshiu të gjithë popullin shqiptar, duke u shndërruar në një akt terrori, por edhe në një kujtesë të pashlyeshme të përpjekjes për të luftuar dhe për të ruajtur lirinë.

Një tjetër autor, Gezim Hajdari, ofron një vështrim tjetër të tragjedisë së Havzi Nelës, duke e quajtur poetin “viktimën e pafajshme të vitit 1988”. Ai tregon se terrori i kuq, pas dekadash burgimesh dhe internimesh, nuk pati asnjë ngopje dhe vazhdoi të shkatërronte jetët e atyre që ishin të guximshëm të thonin të vërtetën. Pas daljes nga burgu, Nela nuk reshtoi së luftuari për lirinë e fjalës, për të cilën ai pagoi me jetën. Ekzekutimi i tij nuk ishte thjesht një akt i dhunës, por një mesazh për gjithë ata që mendonin se mund të guxonin të ngrinin zërin kundër regjimit.

Në librin e Palushit, biografia e Havzi Nelës nuk është e thjeshtë. Ajo është një histori që, përtej datave dhe ngjarjeve, na flet për luftën e përditshme të një njeriu për të mbajtur lart idealet e lirisë dhe për të shprehur, me guxim dhe pasion, mendimet dhe ndjenjat e tij. Nderi i Kombit , Nela u bë një figurë që e kundërshtoi regjimin dhe shprehu atë që shumë të tjerë ishin të frikësuar ta thonin.

Poezia e Havzi Nelës e ka tejkaluar vdekjen e tij fizike dhe ka mbetur një testament i fuqishëm për brezat e ardhshëm, një mesazh për ndjekësit e ideve të lirisë dhe drejtësisë. Vargjet e tij janë një thirrje që na kujton se edhe në kushtet më të errëta, forca e shpirtit dhe besimi në vlerat e lirisë janë më të forta se çdo tirani.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular