Deputeti i zgjedhur, Klevis Balliu apelon për aksion radial të demokratëve. Në një intervistë për RTSH-në Balliu u shpreh pro nisjes së protestave të opozitës, të cilat gjykon se nuk duhet të jenë thjesht manifestuese.
“Aksioni i opozitës nuk duhet të jetë i përsëritur. Ka një diferencë midis protestave dhe mitingjeve. Ka pasur protesta, herë të suksesshme herë jo, por në shumicë ka pasur mitingje. Nuk ka kriminel dhe nuk ka diktator narkoterrorist që ikën me: të lutem largohu” shprehet Balliu.
Në fushëbetejë përball atij që e cilëson regjim, Balliu fton të jenë edhe qytetarët. Pas tjetërsimit të vullnetit të tyre në zgjedhjet politike të 11 majit, Balliu gjykon se qeveria po merr masa represive ndaj qytetarëve, sikundër janë sipas tij, edhe ndryshimet e propozuara për Kodin e ri Penal.
“Kemi të bëjmë me një kod të ri penal i cili është i njëjtë me kodin e Maduros. Nuk lejohet të ofendohesh apo të tallësh udhëheqjen“, shton deputeti i zgjedhur demokrat.
Për Balliun misioni i opozitës duhet të fokusohet vetëm garantimi i zgjedhjeve të lira. Në këtë kontekst ai nuk është mbështetës i ideve të hedhura në media nga përfaqësues të caktuar të PD-së për riformatim forumesh pas zgjedhjeve te 11 majit.
“S’ka nevojë për të debatur, sepse është mandati i tillë që të kufizon edhe po të mos duash. Çdo interes i vogël partiak është një hiç përballë interesit kombëtar dhe Lidershipi i Partisë Demokratike nuk do të ishte lider nëse nuk do të vendoste interesin kombëtar përpara lojërave partiake të brendshme që kanë qenë, janë dhe do të jenë në çdo parti në të gjithë botën“, thekson Balliu.
Balliu e sheh shumë të rëndësishme për aksionin opozitar pjesëmarrjen e opozitës në Kuvend. Si deputet i zgjedhur thotë se në legjislaturën e re do të adresojë probleme që lidhen me sigurinë kombëtare, iniciativa këto që mund të shoqërohen edhe me kërkesa për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare. RTSH