Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri” mbetet një nga pikat më tërheqëse për vizitorët që zgjedhin Beratin si destinacion kulturor.
Ky tempull i artit ikonografik magjeps me koleksionin e tij unik, ku ikonat, ngjyrat dhe historia janë ruajtur me kujdes të jashtëzakonshëm, për t’u shijuar nga afër.
“Ejani. Jo thjesht për të kaluar kohën, por për ta ndjerë atë”, është ftesa e ngrohtë që ky institucion u drejton artdashësve, të cilët këtë sezon kanë ardhur të shumtë nga çdo cep i globit.
Nën administrimin e Qendrës Kombëtare të Muzeumeve Berat, “Onufri” dhe Muzeu Etnografik ruajnë e promovojnë thesare të çmuara të trashëgimisë kulturore të qytetit dhe krahinës përreth.
Berati, dikur një qendër e lulëzuar veçanërisht në shekullin XVII, ka qenë vatër ku u grumbulluan, u krijuan dhe u ruajtën vlera të rralla, që sot përbëjnë një pjesë të pazëvendësueshme të kulturës kombëtare.
Sheshi para Bashkisë së Shkodrës është kthyer gjatë kësaj vere në qendër koncertesh. Këtu performojnë mbrëmjeve artistë të njohur shqiptarë si dhe grupe muzikore të zhanreve të ndryshme.
Autoritetet lokale janë kujdesur për një kalendar të pasur aktivitetesh që do të vijojnë edhe në këto ditë të mbetura të gushtit, me qëllim krijimin e një atmosfere të veçantë në qytet dhe për të tërhequr sa më shumë vizitorë.
Sezoni i aktiviteteve do të mbyllet me një koncert të tenorit Saimir Pirgu.
Shkodra është zgjedhur nga vizitorë të shumtë të ardhur nga rajoni si dhe të huaj, dhe organizimet e ndryshme kulturore dhe artistike janë një prej elementeve mikpritës në kryeqendrën e veriut.
Artisti shqiptar Alfred Mirashi, i njohur me emrin Milot, është autori i skulpturës gjigante në Europë: “Çelësi i Monteverginës”.
Pas gjashtë vitesh pritjeje dhe pengesash burokratike, kjo vepër monumentale do të vendoset përfundimisht në Monteverde, në një nga fshatrat më të bukur të Italise.
Për vite me radhë, “Çelësi” u refuzua të vendosej në rrethrrotullimin e Mercoglianos, ku u konsiderua nga autoritetet e trashëgimisë si një objekt që nuk harmonizohej me peizazhin.
Pavarësisht investimit fillestar dhe fillimit të punimeve, në dhjetor të vitit 2021 projekti u ndalua zyrtarisht. Që atëherë, skulptura mbeti në pritje.
Monteverde u ofrua vetë për të pritur veprën, duke e parë si një simbol të identitetit të saj si vend mikpritës. Vendimi u miratua më 5 gusht nga Provinca e Avellinos, me një financim prej afro 90 mijë eurosh për instalimin.
“Çelësi o Monteverginës” është një skulpturë në çelik dhe forma është konceptuar si një çelës që nuk mund të mbyllet, por që te fton për të hyrë, duke u bërë simbol i mirëseardhjes. Ndërsa pjesa e sipërme i ngjan siluetës së një kështjelle.
Objektivi është që skulptura të inaugurohet më 12 tetor, në përputhje me Alzheimer Fest 2025, ngjarja kombëtare kushtuar kujdesit, komunitetit dhe përfshirjes, që këtë vit do të mbahet në Monteverde.
Pas shumë kthesash dhe pasigurish, artisti shqiptar Milot do ta shohë më në fund veprën e tij në një vend që ka zgjedhur jo vetëm ta ekspozojë, por t’i japë kuptim. “Çelësi” nuk mbyll, por hap një mundësi të re për artin publik në Itali.