Kodi i Ri penal zgjeron përkufizimin e evazionit tatimor përtej ligjit të posaçëm, duke përfshirë çdo veprim të paligjshëm për shmangien nga pagesa e detyrimeve tatimore përmes fshehjes së të ardhurave, të ligjshme ose të paligjshme. Çdo procedurë për përmbushjen e këtyre detyrimeve rregullohet në ligjin për Procedurat Tatimore, por për qëllime të përcaktimit të veprave penale dhe masës së dënimi, drafti ofron përkufizmet dhe koncepte të reja.
Për qëllime të këtij ligji, me togfjalëshin “evazion tatimor”, përveç sa është shënuar në ligjin e posaçëm lidhur me të, kuptohet edhe, çdo veprim i paligjshëm i mospagimit të detyrimeve tatimore duke fshehur të ardhurat publike, të fituara në mënyrë të ligjshme ose të paligjshme, prej zbulimit dhe mbledhjes nga ana e autoriteteve tatimore.
E ardhura publike përkufizohet si vlera e pasurisë që, sipas ligjit, duhet t’i paguhet shtetit, ndërsa e ardhura e paligjshme është ajo që futet në ekonomi ose regjistrohet pa u deklaruar për qëllime tatimore, pavarësisht burimit.
Në nenin 604 të Kodit parashikohet se mospagimi vullnetar i detyrimeve që bazohen mbi vetëdeklarimin e tyre, pjesërisht apo plotësisht, ose në afatin e caktuar në ligjin përkatës, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. Ky nen rrit shqetësimin e subjekteve të cilët mund të mos kenë marrë pagesën e shërbimit të ofruar në datën kur kryhet pagesa. Për këto subjekte mbeten vetëm dy rrugë: pagimi i detyrimeve me likuidetet e veta ose të zgjohen të pandehur, thonë ekspertët.
Koncepti i ri i zbulimit vullnetar të detyrimeve
Ligji parashikon si koncept zbulimin vullnetar të detyrimeve, i cili ndodh kur vetë subjekti, përpara se autoriteti tatimor ta zbulojë ose të nisë kontrollin, raporton gjendjen e evazionit të shkaktuar nga veprimet e tij.
Programi i zbulimit vullnetar të detyrimeve përfundon me mosfillimin e procedimit ndaj subjektit deklarues vullnetar, ose kur ai ka filluar, me pushimin e tij, por nuk shuan të drejtën e autoritetit tatimor për të vendosur dënimet përkatëse për subjektin e tatueshëm. I njëjti rregull do të vlejë edhe në rastin kur e drejta e autoritetit tatimor për përcaktimin e vlerësimit është parashkruar.
Sa i përket subjektit që më parë është dënuar administrativisht, kjo nuk e bën atë automatikisht përsëritës penal në kuptim të ligjit penal, por përcakton momentin kur mund të fillojë ndjekja penale për evazion fiskal.
Shkeljet e para të subjekteve të tatueshme trajtohen administrativisht nga autoriteti tatimor. Megjithatë, ndjekja penale mund të kërkohet kur vlera e evazionit është e konsiderueshme, që përcaktohet sipas disa kritereve, si: dëmi i shkaktuar tejkalon 5% të të ardhurave vjetore të tatimpaguesit; kryerja e veprës nga një zyrtar publik; përsëritje e sjelljes me dokumente të falsifikuara apo për përfitime të padrejta; pjesëmarrje në grup të organizuar për evazion fiskal; si dhe raste me rëndësi të veçantë publike, duke marrë parasysh madhësinë e subjektit, ndikimin në punonjës, apo përdorimin e strukturave apo territoreve të errëta fiskalisht për të fshehur detyrimet.
Fillimi i hetimit penal kryesisht
Ligji parashikon gjithashtu në rastin e evazionit fiskal të konsiderueshëm, si dhe në rastet kur vlerësohet nga Prokurori i Shtetit me rëndësi të posaçme publike, hetimi penal fillon kryesisht, duke shkaktuar ndërprerjen e procedimit administrativ të filluar nga Autoriteti Tatimor.
Dënime me burg për evazion
Dy dispozita të posaçme parashikojnë evazionin nëpërmjet tatimit mbi vlerën e shtuar dhe nëpërmjet transaksioneve të pakryera.
Në rastin e parë, krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar, që zvogëlojnë detyrimin tatimor me qëllim rritjen e vlerës kreditore të rimbursueshme të tij, nëpërmjet lëshimit të faturave të falsifikuara, apo manipulimit të sistemit kontabël të llogarive, që kanë si efekt zvogëlimin e buxhetit të shtetit, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.
Ndërsa faturat e falsifikuara apo manipulimi i sistemit kontabël të llogarive të bëra me synimin e kryerjes së evazionit tatimor, dënohet me burgim nga katër deri në nëntë vjet. Kur evazioni i kryer sipas paragrafit të parë është evazion i konsiderueshëm, dënimi shtohet deri në një të dytën e tij, parashikon drafti./ekofin.al







