Mëngjesin e sotëm, IKMT shembi me shpërthim të kontrolluar objektin trekatësh në zonën e Radhimës, i cili rezultonte se ishte ndërtuar pa leje.
Prej më shumë se 4 javësh, në mbarë vendin ka nisur aksioni për objektet e ndërtuara në kundërshtim me ligjin. IKMT në vijim të punës së saj, ndërhyri pak ditë më parë në një objekt tre katësh në zonën e Radhimës, i cili u shemb me tritol.
Për demolimin e këtij objekti janë hapur 410 furnela, janë shtrirë 1,100 metra linearë fitil detonant dhe është planifikuar vendosja e 32 kilogramëve lëndë plasëse.
Ndërkohë që për mbarëvajtjen e procesit në kulmin e sezonit turistik, shpërthimi u krye në orët e para të mëngjesit ku në aksin Vlorë-Orikum qarkullimi u ndërpre, si dhe furnizimi me energji elektrike u ndërpre 15 minuta përpara shpërthimit.
Sipas IKMT, ky objekt buzë detit rezulton pa lejen përkatëse.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot lidhur me aksionin e radhës kundër ndërtimeve pa leje, duke publikuar pamjet e shembjes së një ndërtese shumëkatëshe në Radhimë, e cila ishte ndërtuar pa lejen përkatëse.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë theksoi vendosmërinë për të çuar deri në fund betejën ndaj ndërtimeve pa leje, duke e quajtur këtë përballje një domosdoshmëri për të mbrojtur hapësirat e përbashkëta dhe për të rivendosur rendin ligjor në zhvillimin urban.
“Mirëmëngjes, dhe me këto pamje nga përballja me paligjshmërinë që lëndon e shëmton hapësirat ku bashkëjetojmë si bij e bija të këtij vendi, e ku do ta shkruajmë me se s’bën kapitullin e fundit të betejës me ndërtimet pa leje apo në shkelje të lejeve, ju uroj një javë sa më të mbarë,” – shkruan Rama.