Zbulimet arkeologjike që e nxjerrin Linin si vendbanimin më të vjetër në Europë, kanë bërë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare, kanë shtuar interesin e turistëve të huaj për ta vizituar. Vetëm në 7 muajt e parë të vitit, fshati ka pritur mbi 5 mijë vizitorë
“Ky vendbanim i vjetër i certifikuar tashmë, u promovua nga media prestigjoze ndërkombëtare. Kjo bëri që të shtohet viztueshmëria dhe kërshëria për ta parë nga afër. Këtu operojnë një numëri i madh tur-operatorësh, vendas dhe të huaj që sjellin turistë, pasi është bërë një atraksion kryesor i Bashkisë Pogradec. Kemi nxjerrë disa shifra paraprake, ku janë 5 mijë vizitorë, nga të të cilët 70% janë të huaj. Por duke e krahasur me një vit më parë, shifrat janë relativisht të larta, ndërkohë që jemi në mes sezoni”- thotë Ledjan Zeqollari, Drejtor i Turizmit, bashkia Pogradec.
Turistët shprehen të mahnitur me atë çfarë gjejnë në Lin dhe gjithë zonën e Pogradecit, ndërsa vlerësojnë e dhe kulinarinë
“Hera e parë që vij në Shqipëri. Lini është shumë i bukur, një vendbanim i hershëm në një pozicion strategjik. Ka natyrë të bukur, ushqim dhe shërbim cilësor. Më herët isha në Maqedoninë e Veriut, ky vend është fantastik” – thotë një turist anglez.
Rritja e interest për ta vizituar këtë zonë, ka shtuar dhe bujtinat. Helga Braka, menaxhere e një prej bujtinave në Lin, thotë se po rritet numri i akomodimeve. Sipas saj, vizitorët vijnë nga e gjithë bota, por numrin më të madh e zënë francezët.
“Gjatë gjithë vitit hoteli është i rezervuar. Shumica e turistëve janë nga Franca, Gjermania, Australia etj. Tashmë po mbyllim dhe rezervimet për shtator – tetor. Ka shumë kërkesa dhe kuriozitet” – tregon Helga Braka, menaxhere bujtine.
Lini pritet të përballet me këresë të shtuar të vizitorëve, për shkak të konfirmimit zyrtar si vendbanimi më i vjetër i Europës, rreth 8,500 vjeçar.

