Zhurma e tritolit në Radhimë ndryshoi edhe repertorin e Sali Berishës në seli.
Në tre muaj denoncime të përditshme për procesin e 11 majit, për herë të parë doktori nuk foli për farsë elektorale, por u ndal tek shpërthimi i komanduar i godinës trekatëshe në jug të vendit.
“Sot në mëngjes u njoha me këtë lajm, menjëherë e denoncova turizmin e tritolit të një njeriu të shfazuar që u ofron banorëve dhe pushuesve terrorin e 32 kilogramëve tritol, pluhurin, zhurmën, në kulmin e turizmit, duke krijuar një situatë lufte. Këtë mund ta bëjë vetëm Ramaduro, askush tjetër”, tha Berisha.
Kur nisën shembjet në Theth, Sali Berisha foli për hakmarrje politike pasi banorët e zonës votuan për Partinë Demokratike. Për tritolin në bregdet nuk ka ende asnjë informacion nga qytetari dixhital.
“Nuk di se e kujt është, do pyes, do të informohem patjetër. Nuk kam arritur, por kujtdo që të ishte dhe çfarëdo që të ishte, ajo mund të bëhej në vjeshtë nëse kishte çdo komision të shkelur e me radhë. Por ky është një njeri që udhëhiqet nga urrejtja”, shtoi lideri i opozitës.
Sali Berisha harroi për një ditë farsën elektorale, por të njëjtën gjë nuk e bëri me kreun e SPAK, Altin Dumani, të cilin e akuzon se po mban në sirtar dosjet përvëluese për Kryeministrin. Doktori u zotua se hetimin e Ramës dhe Dumanit opozita do ta bëjë në Parlament, përmes një Komisioni Hetimor.