Një krahasim i shpenzimeve të vendeve anëtare të NATO-s për mbrojtjen, shëndetësinë dhe arsimin tregon se Shqipëria shpenzon më shumë për ushtrinë sesa për arsimin dhe më pak për shëndetësinë se shumica e vendeve të rajonit dhe të Evropës.
Sipas të dhënave të vitit 2024, Shqipëria shpenzon 2% të PBB-së për mbrojtjen, duke përmbushur pragun minimal të vendosur nga NATO. Kjo e rendit vendin në mesin e vendeve me kontribut të konsiderueshëm, përkrah Malit të Zi dhe përpara Kroacisë (1.8%), Italisë (1.5%) dhe Spanjës (1.3%).
Ndërsa të dhënat për shëndetësinë të vitit 2022/23, me 6.2% të PBB-së të alokuara për shëndetësinë, Shqipëria qëndron në fund të listës së vendeve evropiane. Të gjitha vendet fqinje shpenzojnë më shumë e më konkretisht Mali i Zi: 10.9%, Maqedonia e Veriut: 7.6%, Kroacia: 7.2%. Mesatarja e vendeve perëndimore, si Gjermania (11.8%) dhe Franca (11.9%), është dukshëm më e lartë.
Sa i përket arsimit, të dhënat e vitit 2021/22, rezulton se Shqipëria shpenzon 2.7% të PBB-së për arsimin, duke u renditur ndër më të ulëtat në NATO. Vetëm Turqia (2.6%) ka një përqindje më të ulët. Ndërkohë, vendet e rajonit qëndrojnë më mirë si p.sh. Mali i Zi: 4.4%, Kroacia: 4.1%, Maqedonia e Veriut: 3.3% (shifër e vitit 2002), Sllovenia: 5.4%.
Situata me vendet e tjera
Aktualisht, çdo vend i NATO-s shpenzon më pak për ushtrinë sesa për shëndetësinë ose arsimin. Megjithatë, objektivi i ri prej 5% të PBB-së për shpenzimet e mbrojtjes është aktualisht më i lartë se çdo nivel aktual i shpenzimeve ushtarake të ndonjë vendi anëtar të NATO-s.
Për shembull, Polonia kryeson në shpenzimet për mbrojtje brenda NATO-s me 4.1% të PBB-së, e nxitur nga shqetësimet për luftën në Ukrainë.
Buxheti i mbrojtjes i SHBA-së, ndonëse afër 1 trilion dollarë, përbën vetëm rreth 3% të PBB-së. Kjo është vetëm një pjesë e vogël e asaj që SHBA shpenzon për shëndetësi: 16.5% të PBB-së. Këto të dhëna krahasuese përshkruajnë ekonominë konsumatore të SHBA-së, ku kujdesi shëndetësor përfaqësonte 3 trilion dollarë në shpenzime në vitin 2023.
Edhe pse SHBA-ja është një rast i veçantë për nivelin krahasimisht të lartë të shpenzimeve për shëndetësi, shëndetësia mbetet sektori me shpenzimet më të mëdha në të gjitha vendet e NATO-s. Megjithatë, një objektiv prej 5% për mbrojtjen do t’i shtynte 21 vende të shpenzonin më shumë për ushtrinë sesa për shkollat.
A ka përfunduar “udhëtimi falas” i Evropës në fushën e mbrojtjes?
Objektivi i ri prej 5% përbën një ndryshim drastik të prioriteteve për shumë shtete evropiane, veçanërisht në Evropën Perëndimore, ku për dekada me radhë mbrojtja ka pasur rol dytësor ndaj shërbimeve publike.
Megjithatë, kërcënimet e presidentit Trump për të tërhequr mbështetjen e SHBA-së po detyrojnë tani rimilitarizimin në të gjithë kontinentin, sidomos pas pushtimit rus të Ukrainës.
Për të përmbushur këtë objektiv të ri, qeveritë duhet ose të rrisin ndjeshëm të ardhurat, ose të shkurtojnë financimet për sektorë të tjerë./Përshtati nga Visual Capitalist, ekofin.al








