HomeOP ED“Unë nuk jam gati të hesht…”Nga VALENTINA MADANI 

“Unë nuk jam gati të hesht…”Nga VALENTINA MADANI 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Nga VALENTINA MADANI

Sot u zgjova, si shumë të tjerë, pa zërin tim. Jo thjeshtë mungesë informacioni por nga ai boshllëk që lë një ekran i zi. Nga ai moment që kupton se fjala jote nuk është më e lirë. Dhe kur fjala nuk është e lirë, as ti nuk je më.

Në orët e para të mëngjesit, kur qytetarët u zgjuan për të ndjekur lajmet, për të parë titujt e ditës, për të dëgjuar zërin e pavarur të medias, sinjali i “News24” mungonte. Portali “BalkanWeb” nuk hapej. Redaksia e “Panorama-s” ishte e heshtur. Njësoj si të zgjoheshe në një vend tjetër, ku fjala e lirë nuk kishte më vend. Policia rrethoi ambjentet e News24 dhe gazetës Panorama, mbylli dritat, preu energjinë, ndërpreu transmetimin dhe nxori jashtë gazetarët…

Ata mbetën pa kompjuter, pa mikrofon, pa zë. Me sytë mbi asfalt. Të zbrazur! Para një dere që nuk hapet. Ata dhe shumë kolegë të tjerë janë rritur me këto media. Punuan net pa gjumë për të ndjekur një ngjarje, për të raportuar një të vërtetë, për të mos u trembur kur shumë të tjerë u strukën. Tani janë të heshtur, të përjashtuar, të fikur…

“News24”, Gazetat “Panorama”, “Panorama Sport”, “Balkanweb”, “Gazeta Shqiptare” dhe “Rash” nuk janë thjesht një ndërtesë. Janë një shtëpi. E vërteta është shtëpia e një populli. Dhe kur e sheh që po ta rrënojnë, që po ta mbyllin me polici, me dhunë të heshtur, pa një ndjesë… ndjen zbrazëtinë.

Nuk është thjesht një ndërprerje sinjali. Nuk është thjesht një godinë e rrethuar nga policia. Ajo që ndodhi sot në Tiranë është një akt i pastër represioni shtetëror ndaj medias së lirë. Është paralajmërim. Është dhunë pa zhurmë qw mbart pasoja. Është një goditje ndaj frymës së lirë.

Një grusht ndaj zërit të mendimit të pavarur. Një pjesë e lirisë sonë vdiq. U fik zëri që na tregonte të vërtetën. Dhe ky është krimi më i rrezikshëm që mund t’i bëhet një vendi demokratik: t’i shurdhosh qytetarët duke i prerë rrugën drejt informacionit.

Gazetarët janë zëri i publikut. Janë syri që sheh ku shteti nuk do të shikohet, janë zëri që flet ku të tjerët tremben. E kur polici hyn në redaksi dhe e mbyll fjalën, nuk është më çështje ndërtese. Është çështje kombi.

Në këtë ngjarje, shumëkush është përpjekur të fshehë thelbin me fjalë teknike: “çështje prone”, “proces civil”, “vendim administrativ”. Por e vërteta është vetëm një: Policia e Shtetit hyri në një media dhe e mbylli. Kaq mjafton për të tronditur themelet e çdo shteti që e quan veten demokratik. Ajo që ndodhi sot, nuk do të harrohet.

Është dita kur një komb u zgjua pa fjalë. Dhe është dita kur shumë prej nesh e kuptuam se: Nëse nuk mbrojmë zërin që na mbron, mbetemi të pambrojtur. Kjo nuk është thjesht mbyllje e një televizioni. Kjo është një plagë e hapur në trupin e një kombi që po mëson të jetojë pa zë.

Kur shteti hyn me polici në një redaksi, nuk po kërkon pronën. Po kërkon heshtjen. Po kërkon bindjen verbale. Dhe ky është momenti më i rrezikshëm për një vend. Sepse kur humbasim fjalën, nuk humbasim thjesht një TV, një gazetë. Humbasim dinjitetin tonë si shoqëri. Është një ditë heshtjeje e dhunshme. Është një ditë që do hyjë në histori jo për çfarë u tha, por për atë që u ndalua të thuhej.

Sot është “News24”. Sot është “Panorama”. Nesër mund të jetë çdo zë tjetër që guxon të flasë. Ky nuk është një rast. Është një sinjal. Dhe sinjali nuk është thjesht i ndërprerë në ekran. Është një sinjal alarmi për shoqërinë.

Presidenti i tretë amerikan Thomas Jefferson na mësoi se: “Kur shteti ka frikë nga media, ekziston liria. Kur media ka frikë nga shteti, ekziston tirania”. Dhe unë nuk jam gati të hesht. Sepse dua ende të besoj se zëri ynë vlen. Se fjala jonë ka peshë. Se Shqipëria nuk është një vend ku e vërteta vritet në mëngjes, me urdhër, me polici, me heshtje./ Kryeredaktore e Gazetes Panorama

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular