Shqipëria në flakë nga veriu në jug. Një viktimë, evakuim banorësh në Gramsh, Poliçan dhe Tiranë. Ambasada e SHBA-ve paralajmërim urgjent për amerikanët. Për situatën shkruan dhe BBC
Moti i nxehtë që ka mbërthyer vendin ka zgjeruar edhe më shumë hartën e zjarreve.
Autoritetet raportuan mbrëmjen e kësaj të hëne se në të gjithë vendin, nga Veriu në Jug, janë dhjetra vatra aktive zjarri, disa prej tyre jashtë kontrollit.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur sot se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 50 vatra zjarri, 19 ndër të cilat mbeten ende aktive.
“Urgjente!”, Ministria e Mbrojtjes përsërit thirrjen për banorët: Largohuni nga këto 3 fshatra në Gramsh
Një i moshuar ka humbur jetën këtë të martë, më 12 gusht, si pasojë e zjarreve në Gramsh. Policia ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00, ku i moshuari rreth 80 vjeç, ka humbur jetën si pasojë e asfiksimit.
Sipas njoftimit, ai kishte “ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit.”
Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët.
Ministria e Mbrojtjes ka përsëritur thirrjen ndaj banorëve të tri fshatrave në Gramsh, të cilët rrezikohen nga zjarret.
“THIRRJE URGJENTE! Për shkak të zjarreve, u bëjmë thirrje banorëve të fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë të largohen menjëherë nga banesat e tyre dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Situata e zjarreve në Tiranë, evakuohen banorët e dy fshatrave
Në fshatrat Spanesh dhe Kazie në Tiranë, ekipet e emergjencës dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë po evakuojnë banorët nga banesat për shkak të përkeqësimit të situatës nga zjarret.
Terreni është i vështirë dhe flakët po përhapen me shpejtësi, ndërsa po bëhen përpjekje maksimale për të garantuar sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve.
Situata e zjarrit në Poliçan, Ministria e Mbrojtjes kërkon evakuuimin e disa zonave për shkak të rrezikut të lartë
Ministria e Mbrojtjes, kërkon evakuuimin e banorëve në fshatrat Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit. Po kështu, kërkohet evakuuimi brenda Rezervatit të Mbrotjur “Balloll”.
“Situata e zjarrit në Bashkinë Poliçan, Njësia Administrative Terpan, ka dalë jashtë kontrollit dhe ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duke rrezikuar djegien e fshatrave përreth. U kërkohet banorëve të fshatrave Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit, si dhe zonave brenda Rezervatit të Mbrojtur “Balloll”, të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt“, njofton ministria.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka një thirrje për qytetarët amerikanë në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e kujdesit maksimal për shkak të zjarreve të shumta që po përfshijnë vendin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada kërkon që amerikanët të shmangin zonat e rrezikuara dhe të respektojnë urdhrat për evakuim apo çdo lloj udhëzimi të policisë.
“Ambasada Amerikane në Tiranë po monitoron me kujdes zjarret që po përfshijnë vendin dhe u bën thirrje të gjithë qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes maksimal në zonat e rrezikuara.
Shumë zona janë në proces evakuimi. Ju lutemi shmangni këto zona dhe ndiqni udhëzimet e policisë për mbylljen e rrugëve apo ndërprerjet e trafikut.
Ndalohet kalimi përmes zonave me tym apo flakë. Nëse ndodheni pranë një zjarri, largohuni menjëherë.
Për çdo ndihmë apo informacion, kontaktoni Ambasadën në numrin 4224-7285 (nga Shqipëria) ose +355-4224-7285 (nga jashtë Shqipërisë), ose në email: [email protected]“, thuhet në njoftimin zyrtar.

Shkrumbohen banesa në Tepelenë, kisha historike humbet në flakë
Në qytetin e Tepelenës janë regjistruar dëme të mëdha nga zjarri.
Siç raporton gazetarja e Klan Neës, Dorina Muhaj, disa banesa në fshatin Lekël janë djegur plotësisht, ndërsa forcat zjarrfikëse, policia dhe ushtria janë angazhuar në terren për të vënë flakët nën kontroll. Nëse situata përkeqësohet, rrezikohet edhe fshati Labovë i Gjirokastrës.
Valë të nxehtësisë rekord po përfshijnë jugun e Europës, duke sjellë temperatura që në disa vende kalojnë 40 gradë Celsius, një fenomen që po shkakton zjarre të shumta në vende si Italia, Spanja, Portugalia dhe rajoni i Ballkanit.
BBC ka shkruar një artikull pikërisht për situatën me zjarret, veçanërisht në vendin tonë, si më poshtë:
Shqipëria është një nga vendet më të prekura në rajon, ku temperaturat e larta dhe era po përkeqësojnë situatën, duke shkaktuar zjarre të mëdha që kanë detyruar evakuimin e banorëve në disa zona.
Në Shqipëri, zjarrfikësit dhe emergjencat civile po përballen me sfida të mëdha për të kontrolluar përhapjen e flakëve. Në zonat rurale dhe malore, flakët po përhapen me shpejtësi për shkak të thatësirës së thellë dhe erërave të forta, duke rrezikuar fshatra dhe pyje të rëndësishëm. Banorë të shumtë janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehim në vende më të sigurta.
Situata mbetet e vështirë sidomos në zonat jugore dhe juglindore të vendit, ku emergjencat po punojnë pa pushim për të ndihmuar banorët dhe për të mbrojtur zonat më të prekura. Forcat zjarrfikëse bashkëpunojnë me autoritetet lokale dhe ndërkombëtare për të menaxhuar krizën dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarreve.
Ekspertët e mjedisit dhe meteorologët paralajmërojnë se kjo valë e nxehtësisë ekstreme është pjesë e një tendence më të gjerë globale, ku ndryshimet klimatike po shkaktojnë periudha më të gjata dhe më të rrezikshme të zjarreve.
Shqipëria, si vend mesdhetar, po përballet me pasojat e drejtpërdrejta të këtyre ndryshimeve, ndërsa është urgjente të forcohen masat për menaxhimin e fatkeqësive natyrore
Vatrat aktive janë:
· Qarku Vlorë, në bashkinë Finiq dhe Delvinë, pranë Parkut Natyror të Syrit të Kaltër vazhdon të jetë aktive dhe problematike, ndërsa në terren po operojnë 8 mjete zjarrfikëse, 4 ndër të cilat janë të FA dhe rreth 90 forca operacionale, mbçshterur edhe nga helikopteri i Forcës Ajrore si dhe 2 avionë grek PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak. Sot pritet të vazhdojë puna me të njëjtat kapacitete, të ndihmuara edhe nga 1 helikopter Black haëk i Forcës Ajrore.
· Në parkun e “Rëzom” (zonë e mbrojtur), te maja e “Lucës”, mbi tunelin e Skërficës vazhdon zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pyje, terreni i thyer e bën të pamundur ndërhyrjen nga toka. Situata po monitorohet dhe paraqitet e qëndrueshme.
· Qarku Dibër, në Malin me Gropa në Biz të Martaneshit, Bashkia Bulqizë në zonë të mbrojtur vazhdon aktive kjo vatër zjarri, që është zhvilluar me intensitet mbi fshatin Val, larg zonave të banuara në një zonë shkëmbore ku digjen, bimë më të rralla dhe barishte.. Situata po mbikëqyret nga autoritetet vendore.
· Në fshatin Xibër, bashkia Klos vatra e zjarrit është izoluar dhe po mbahet në monitorim nga autoritetet vendore.
· Qarku Berat, në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, vazhdon aktive vatra e zjarrit, duke iu afruar qytetit pranë Azilit të të Moshuarve. Situata është përkeqësuar në fshatin Plirëz, Poliçan dhe po evakuohen banorët. Në vendngjarje po punojnë pesë mjete dhe rreth 75 forca operacionale, mbështetur nga ajri me helikopterin e Forcës Ajrore.
· Në fshatin Rehovë, bashkia Poliçan, zjarri ka përparuar në afërsi të banesave. Është bërë evakuimi i banorëve gjatë dhe kanë operuar forca operacionale vendore.
· Qarku Tiranë, vijon aktiv zjarri në vendin e quajtur “Mali i Bërzhitës”, fshati Ibë, ku po forcat operacionale vijojnë punën për shuarjen e tij.
· Në fshatin Stërbeg, bashkia Rrogozhinë, ku zjarri ka kaluar në fshatin Spanesh. Në vendngjarje ndodhen forca dhe mjete nga MZSH Rrogozhinë të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit.
· Në fshatin Hajdaraj, bashkia Kavajë, vatrat janë drejt shuarjes së plotë, ku forcat në terren janë mbështetur edhe nga ajri, me një avion, që po punon aktualisht për shuarjen e vatrës së fundit.
· Në lartësitë dominuese të fshatit Damjan dhe Isufaj, zona Arbanë, njësia administrative Vaqarr, ka rënë një zjarr i përmasave të mëdha. Aktualisht, edhe pse terreni është i vështirë, po veprojnë 6 mjete dhe rreth 40 forca nga strukturat operacionale si dhe një avion Canadair kroat.
· Në fshatin Ferraj dhe Zall-Herr, bashkia Tiranë, në zjarrin e përhapur në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, po operojnë në automjete zjarrfikëse nga MZSH, por situata paraqitet e ndërlikuar dhe rrezikohen banesa. Forcave në terren u janë bashkuar 2 helikopterë Blackhaëk të Emirateve të Bshkuara Arabe.
· Në kodrat e Selitës, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Nuk ka akses për kalueshmëri mjetesh. Situata po monitorohet nga forcat bashkiake.
· Qarku Durrës, në fshatin Barkanesh, bashkia Krujë është aktivizuar një vatër zjarri në terren të vështirë, ku po veprojnë mjete dhe forca operacionale vendore.
· Qarku Gjirokastër, në fshatin Turan, bashkia Tepelenë, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit, i cili u përhap në drejtim të fshatit Lekel dhe Koder, ku u dogjën dy stalla, por me dëme minimale në bagëti. Ne terren operuan rreth 100 forca dhe mjete nga gjithë qarku Gjirokastër, dhe sot vijon puna, të ndihmuar nga dy helikopterët çek dhe sllovak.
· Qarku Elbasan, në fshatin Mukaj dhe fshatin Sojnik, bashkia Gramsh, zjarri vijon aktiv në sipërfaqe me shkurre dhe ferr, ku operuan forcat operacionale punuan të MZSH Gramsh të mbështetur nga 25 efektivë të FA Elbasan.
· Qarku Shkodër, është aktivizuar vatër zjarri në hyrje të qytetit Pukë, vijojnë punën forcat operacionale vendore. Situata është në kontroll dhe nuk paraqet rrezik.
· Në fshatin Xath, bashkia Fushë Arrëz ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pisha, që nuk e mundëson ndërhyrjen nga forcat tokësore. Situata ka qenë shumë e vështirë dhe zjarri ka marrë përmasa. Përveç afro 80 forcave operacionale vendore sot po operojnë edhe 65 forca të FA, me 2 mjete zjarrfikëse.
· Qarku Kukës, është aktivizuar një vatër zjarri në fshatin Gegaj, bashkia Tropojë, pa rrezik për banesat. Janë angazhuar rreth 60 forca nga strukturat operacionale vendore dhe 5 mjete zjarrfikëse. Vatra ngelet aktive por e izoluar dhe pa rrezik për përhapje.
· Në bashkinë Kukës, një vatër zjarri në zonë pyjore në vendin e quajtur Maja e Zezë, fshati Shëmri vazhdon të jetë në monitorim.
· Qarku Korçë, në fshatin Gërmenj, bashkia Kolonjë është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe me pyje pishe. Terreni është i vështirë dhe forcat operacionale e kanë të pamundur ndërhyrjen. Situata është në mbikëqyrje nga MZSH Kolonjë.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 82 automjete zjarrfikëse dhe 1080 forca operacionale.