Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, depozitat në monedhën e gjelbër në fund të muajit qershor arritën vlerën e 838 milionë dollarëve, në rritje me 14.5% që nga fillimi i vitit 2025 dhe me 21.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vlera e depozitave në dollarë amerikanë është shumë pranë niveleve më të larta të dekadës së fundit. Vlera rekord për këtë periudhë u arrit në fund të prillit, me 849 milionë dollarë.
Shifrat tregojnë se rritja e kursimeve në valutë nuk ka prekur vetëm euron dominuese, por është shtrirë edhe tek Dollari, që është valuta e dytë e huaj më e përdorur brenda ekonomisë dhe sektorit financiar shqiptar.
Pjesa më e madhe e depozitave në dollarë amerikanë u takon individëve. Në fund të vitit të kaluar ata zotëronin rreth 68% të totalit të depozitave në valutë. Rritja vjetore e depozitave në dollarë të individëve arriti në 23.2%, edhe më i lartë se rritja mesatare e depozitave në monedhën amerikane.
Në teori, rritja e normave të interesit në dollarë amerikanë pas vitit 2022 mund ta ketë bërë dollarin më tërheqës për investime financiare. Sipas informacionit të raportuar nga bankat tregtare në Bankën e Shqipërisë, normat e interesit të depozitave në dollarë amerikanë në muajin janar të këtij viti arrinin deri në 2.7% për afatet më të gjata të maturimit.
Megjithatë, tregu financiar ofron edhe mundësi të tjera investimi, siç janë fondet e investimit apo pjesëmarrja në investime nëpërmjet platformave të huaja, përfshi këtu instrumentet financiare të tregut të kapitalit ose kriptomonedhat. Rritja e kursimeve në dollarë amerikanë mund të jetë e lidhur sidomos me investimet në instrumente alternative jashtë vendit dhe sidomos në kriptiomonedha.
Kriptovaluta kryesore, bitcoin, tashmë këmbehet me afërsisht 117 mijë dollarë. Mund të hipotizohet se në një mjedis të tillë disa investitorë mund të kenë përfituar nga rritja e çmimit për të likuiduar kriptoasetet dhe për të riatdhesuar fondet, çka do ta rendiste tregun e kriptomonedhave si një nga faktorët që mund të ketë sjellë rritjen e depozitave në USD.
Një burim tjetër që besohet të ketë arritur nivele të konsiderueshme vitet e fundit janë edhe shërbimet outsourcing nga bizneset apo individë për kompani amerikane ose të vendeve të tjera jashtë BE që përdorin Dollarin si monedhë pagesash ndërkombëtare.
Në segmentin e biznesit, prurjet në USD lidhen kryesisht me eksportet e mallrave të kuotuara në dollar apo eksportet drejt vendeve jashtë Europës.
Ndërkohë, depozitat në euro vazhdojnë të rriten. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera e depozitave në euro në fund të qershorit arriti në vlerën prej 8.12 miliardë eurosh, edhe në këtë rats shumë afër nivelit më të lartë historik.
Megjithatë, rritja e depozitave në euro është reduktuar në nivele njëshifrore. Krahasuar me një vit më parë, depozitat në euro janë në rritje me 7.5%. Vlerësohet se rritja e depozitave në valutë është e lidhur drejtpërdrejtë me rritjen e flukseve valutore hyrëse në ekonomi, të lidhura veçanërisht me sektorin e turizmit dhe pasuritë e paluajtshme./ Monitor