Shqipëria po përvëlohet nga zjarret nga jugu në veri, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe kanë marrë edhe jetë njerëzish. Sipas të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes, aktualisht janë evidentuar 37 vatra zjarri, nga të cilat 30 vatra zjarri janë aktive, por në disa qytete si Delvinë e Gramsh situata paraqitet më alarmante.
Në ndihmë kanë ardhur mjete ajrore, 2 helikopterë Black Hawk nga Emiratet e Bashkuara Arabe; 1 Black Hawk nga Çekia; 1 Black Hawk nga Sllovakia dhe 1 Black Hawk nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë.
Situata mbetet alarmante në shumë qarqe dhe kapacitetet që ka aktualisht Shqipëria nuk e përballojnë efektivisht nevojën për ndërhyrje, si sa i përket mjeteve, ashtu edhe forcave zjarrfikëse.
Ekofin.al më herët, referuar shifrave të raportit të “Qeverisja vendore në Shqipëri 2024” nga Instituti për Bashkitë raportoi se buxheti për mbrojtjen nga zjarri ishte 1.5 miliardë lekë për 2024-in, i ndarë për 61 bashki, me një staf minimal prej 14 zjarrfikësish për stacion (70 në total). Megjithatë, kapacitetet mbeten të ulëta: Shqipëria ka vetëm 0.8 zjarrfikës për 1,500 banorë dhe 0.9 automjete për 10,000 banorë, një situatë që është veçanërisht kritike gjatë zjarreve në pyje.
Pas transferimit të kompetencave nga prefekturat tek bashkitë, shërbimi i zjarrfikjes vuan nga mungesa e pajisjeve, trajnimit dhe mjeteve të reja. Aktualisht flota e zjarrfikësve është e vjetëruar, kryesisht mjete të dhuruara nga vende të ndryshme. Për më tepeër, mungojnë gjithashtu pajisjet mbrojtëse personale dhe mjetet për ndërtesa të larta, ndërsa kufizimet buxhetore e bëjnë të vështirë ngritjen e kapaciteteve.
Po kështu, edhe një raport i Bankës Botërore i vitit 2021 ka evidentuar dobësitë strukturore në përballimin e zjarreve, sidomos në zonat e thella dhe të ashpra, për shkak të mungesës së automjeteve të përshtatshme, pajisjeve moderne dhe teknologjisë për zbulim të hershëm, si kamerat termike. Gjithashtu nevojiten avionë, harta tokësore të përditësuara dhe të dhëna meteorologjike.
Për këtë arsye, Banka Botërore përmes Technical Assistance Financing Facility for Disaster Prevention and Preparedness (TAFF), një partneritet mes Komisionit Evropian (DG ECHO), dhe GFDRR, ka parashikuar një grant prej 500 mijë eurosh për të mbështetur Shqipërinë në përmirësimin e menaxhimit të rrezikut nga zjarret dhe kapaciteteve të kërkim-shpëtimit gjatë periudhës shtator 2024 – gusht 2026, me synim forcimin e reagimit ndaj zjarreve të përgjithshme, atyre pyjore dhe emergjencave.
Për vitin 2025 të dhënat e buxhetit tregojnë se bashkitë kanë vetëm 21 milionë euro për mbrojtjen nga zjarri dhe 55 milionë euro për emergjencat civile në total. Këto fonde mbeten jashtëzakonisht të pakta për të përballuar fatkeqësitë natyrore dhe të siguruar mbrotjen e njerëzve, pyjeve, pasurive të paluajtshme dhe gjësë së gjallë.
Në këto kushte, pa një rritje të menjëhershme të investimeve në pajisje moderne, trajnime dhe teknologji të avancuar për zbulim e ndërhyrje, Shqipëria rrezikon që çdo verë të përballet me skenarë të përsëritur emergjence, të cilët vënë në rrezik mbrojtjen e jetës, mjedisit dhe ekonomisë së vendit. /ekofin.al