Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e sotme, 14 gusht, në fshatin Pirg të Maliqit, ku si pasojë e një konflikti mes dy të mituve, ka ndërruar jetë një 14-vjeçar.
Rasti ka ndodhur rreth orës 17:30, në ambientet e një lokali. Sipas njoftimit të uniformave blu, dy të miturit u konfliktuan, duke kaluar më pas në përdorimin e thikës.
Si pasojë e plagëve, ka ndërruar jetë një prej 14-vjeçarëve. Autori, bashkëmoshatar i viktimës, ndodhet në ambientet e spitalit për të marrë mjekim për shkak të lëndimeve të marra. Ai është nën mbikëqyrjen e policisë.
Sakaq, është ngritur grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
“Rreth orës 17:30, në fshatin Pirg, në ambientet e një lokali, ka ndodhur një konflikt dyshohet me mjet prerës (thikë) mes dy 14-vjeçarëve. Si pasojë e plagëve të marra shtetasi E. Xh., 14-vjeç, ka ndërruar jetë në spital. 14-vjeçari tjetër, autori i dyshuar i ngjarjes, është shoqëruar në spital, për të marrë mjekim, dhe është nën mbikëqyrjen e Policisë. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes“, njofton policia.
Kjo nuk është hera e parë që vendi ynë tronditet nga ngjarje të tilla mes të miturve.
Kujtojmë rastin e 14-vjeçarit, M.C., i cili u vra më 18 nëntor të vitit 2024. Ajo se çfarë e bëri më të rëndë këtë rast, ishte fakti se ngjarja ndodhi vetëm disa metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në kryeqytet.
I mituri u vra nga bashkëmoshatari i tij, M.P., i cili po gjykohet për veprën penale “vrasje në rrethana cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave.
Rasti i sotëm, është tepër i ngjashëm, me këtë të 18 nëntorit 2024-ës, duke ngritur shqetësime për përdorimin e mjetëve të ftohta nga të miturit.