Gjykata Themelore e Gjilanit ka lëshuar urdhër-arrest dhe letër-rreshtim ndërkombëtar ndaj modeles Arbenita Ismajli, sipas mediave të Kosovës.
Për modelen ka nisur një hetim nga prokuroria në qershor të këtij viti, pasi ajo nuk kishte lejuar takimet e vajzës me të atin, Feronit Shabani. Fero dhe Arbenita janë tashmë të divorcuar, por reperi mund ta takonte vajzën dy herë në muaj përmes Qendrës për Punë Sociale në Gjilan.
Sipas prokurorisë, modelja e ka marrë vajzën në udhëtime në Europë dhe Emiratet e Bashkuara dhe mos përmbushur detyrimet e saj të marrëveshjes.
Në korrik të këtij viti, ajo u akuzua për veprat penale “Marrja apo mbajtja e kundërligjshme e fëmijës” dhe për “Mospërfillje të gjykatës”.
Fero ka shpërthyer shpesh në rrjetet sociale lidhur me këtë situatë, madje disa muaj më parë, akuzoi edhe Blinera Osmanin, motrën e presidentes së Kosovës, e cila është avokatja mbrojtëse e Arbenitës, për ndikim në këtë çështje.
Njëkohësisht, edhe mbi Feron rëndojnë akuza për dhunë në familje, ngacmim seksual dhe kanosje kundrejt Arbenita Ismajlit, të dyshuara se janë kryer gjatë qershor-tetorit 2024.