Nga BEN ANDONI
Ajo që po ndodh me kolegët e kompanisë “Focus Group” është jo thjesht e trishtë, por edhe e paimagjinueshme. Për fat kanë nisur pakëz lajmet e mira dhe në ditët në vazhdim, personalisht pres që kolegët të kenë një mjedis të ri, ku të punojnë dhe të përballin detyrimet e tyre. Jam solidar me shqetësimin e tyre të punës dhe me vuajtjet që po kalojnë por mbi të gjitha me të ardhmen e tyre të paqartë.
Kanë mjaftuar këto ditë për të mësuar çdo gjë për përballjen e shtetit me Kompaninë “Focus”, për pasuri të qenë e të paqena, për shqetësimet e gazetarëve, për mllefin e shumë njerëzve dhe për aksionin e marrjes të gjithë infrastrukturës, por shumë pak për mbijetesën e përditshme të shumë prej gazetarëve dhe njerëzve, të cilët shërbejnë në këtë kompani.
Nesër do ta ketë radhën dikush tjetër dhe sërish do mësojmë me problematikat e pronës, përballjet e gjyqeve dhe pamundësinë e njerëzve të medias të mbrojnë veten e tyre. Komuniteti ynë nuk ka më asnjë fuqi të mbrojë veten e vet, kurse për fatin e keq, organizmat tona të shoqatave janë të papërfillshme para autoritetit shtetëror dhe atij të pronarëve.
Kësaj i shtohet mungesa e një grupi sindikal që të ndikonte për çdo gjë, por mbi të gjitha zëri i saj të ishte zëri i arsyes. Ndërsa neve na kërkohet ta informojmë publikun dhe të jemi të paanshëm, ne nuk na dëgjon njeri për shqetësimet më bazike. Shteti i përkulur nga aksionet e lodhshme kundër informalitetit në pikun e sezonit turistik, në kulmin e flakëve që po e shkretojnë vendin nuk ka kohë të dëgjojë zërin e medias.
Gjithsesi, gjykata e dha një vendim për infrastrukturën e medias së Focus, tashmë është radha e fuqive të tjera ta bëjnë efektive këtë media. Nuk dua të futem në përballjet e problemeve të gazetarëve të kësaj kompanie sepse janë bajagi të mëdha, por besoj se ky devocion i tyre duhet mbështetur. Fillimisht nga familja që e ka në pronësi këtë media.
Jam solidar dhe uroj që në eter të jetë një orë e më parë efikas News24 dhe radioja e saj; në tezga të lexohet “Panorama” dhe Panorama Sport; kurse Ballkanweb të tregojë aktualitetin me të gjithë ngjyrimet e duhura.
Kurajë kolegë edhe pse për fat të keq: “Ra ky siklet dhe u kujtuam për njëri-tjetrin”. Ne e kemi harruar njëri-tjetrin për t’u marrë me “shqetësimet” e atyre që po e shkretojnë këtë vend.