Strukturat akomoduese në Shqipëri pritet t’i nënshtrohen një procesi të thelluar rregullimi dhe klasifikimi, me miratimin e një ligji të ri të posaçëm, që do të vendosë standarde të reja për funksionimin e hotelerisë dhe të të gjitha formave të tjera të akomodimit turistik.
Sipas Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Turizmit 2025–2030, qeveria ka shpallur si prioritet miratimin e një kuadri ligjor modern dhe gjithëpërfshirës për klasifikimin e strukturave akomoduese, që do të shtrihet përtej hoteleve për të përfshirë edhe akomodimin afatshkurtër, kampingjet, vilat pushuese dhe format alternative të qëndrimit turistik.
Ligji i ri do të përcaktojë tipologjitë e qarta të strukturave akomoduese (hotele, dhoma me qira, apartamente, vila, kampingje, etj.); standardet minimale për infrastrukturën, ambientet sanitare, sigurinë, shërbimet dhe cilësinë e akomodimit; klasifikimin me yje (2–5 yje) për çdo tipologji, me kritere të qarta për secilën kategori; kushtet e aksesueshmërisë për persona me aftësi të kufizuara etj.
Krahas standardeve të klasifikimit, legjislacioni i propozuar do të përcaktojë edhe kërkesat e sigurisë dhe mbrojtjes në të gjitha llojet e strukturave akomoduese, duke garantuar një nivel konsistent dhe të lartë mbrojtjeje për të gjithë klientët.
Ai do të përcaktojë udhëzime të qarta për aksesueshmërinë për t’i bërë strukturat akomoduese të aksesueshme për individët me lëvizshmëri të kufizuar dhe aftësi të kufizuara. Kjo qasje gjithëpërfshirëse rrit sigurinë dhe gjithëpërfshirjen e klientëve dhe është në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, duke rritur kështu cilësinë e përgjithshme dhe konkurrueshmërinë e ofertave turistike të Shqipërisë, thuhet në Strategjinë e Turizmit.
Sipas Planit të veprimit parashikohen 3 projekte kryesore: Hartimi i metodologjisë së klasifikimit dhe standardeve për strukturat akomoduese, me afat vitin 2026, me fond 60 mijë euro; hartimi i sistemit të inspektimit dhe monitorimit për këto struktura me afat 2026-2027, me fond 80 mijë euro, si dhe trajnimi i inspektorëve dhe informimi i operatorëve turistikë mbi sistemin e klasifikimit, me afat vitin 2027, me fond 60 mijë euro. Në total fondi i parashikuar është 200 mijë euro nga buxheti i shtetit. ekofin.al