Ilia Mazniku u lind në Tiranë, më 15 gusht 1943, djali i Kozmait dhe i Efterpi Maznikut, një familje e shquar, plot virtyte e fisnikëri nga zona e Gollobordës.
Babai i tij, Kozma Mazniku, u lind e u rrit në fshatin Vërnicë dhe kaloi një pjesë të jetës së tij në emigrim përpara se të vendosej në Tiranë.
Për ata që nuk e dinë, Vërnica është një fshat i vogël shumë afër kufirit me Maqedoninë e Veriut, pjesë e krahinës së Gollobordës. Zona është pjesë e natyrshme e krahinës së Dibrës, e cila u nda më dysh prej vendimeve të fuqive të mëdha, kur vendin e Perandorisë Otomane e zunë shtetet e reja të pavarura.
Vërnica ndodhet në mes Ostenit në veriperëndim, Trebishtit në jug e Drinit të Zi në lindje. Shkruan poeti Lasgush Poradeci: “Duke nisur udhëtimin mes për mes ndër Shqipëri/Drini plak e i përrallshëm po buron prej Shën-Naumi”. Me qesëndi disa kritikë në atë kohë thanë se Lasgushi nuk dinte gjeografinë, se Drini rridhte jashtë kufirit. Po ashtu iu përgjigj ai, se gjeografinë nuk e dinin ata, se Shqipëri ishte këtej e andej kufirit dhe Drinit. Për fatin tonë, Vërnica, ndonëse me popullsi ku mbizotëronte etnia sllave, mbeti në anën e duhur të kufirit, megjithëse vetëm për pak metra. Bashkë me të fituam edhe një numër të konsiderueshëm personalitetesh, që do të ndikonin drejtpërdrejt, individualisht e familjarisht në zhvillimin e Shqipërisë, përfshi këtu edhe prof. dr. Ilia Maznikun, të cilit i kushtohet ky libër.
Në Vërnicë, nga dy kisha ortodokse, vetëm ajo e Shën Gjergjit është ende më këmbë si ndërtesë. Shën Gjergji, që si shenjtor njihet jo vetëm si bamirës e mbrojtësi i të varfërve, që ia nguli kuçedrës shpatën në grykë, por edhe si shërues i të sëmurëve. Të shkon mendja se kjo traditë e Shën Gjergjit u trashëgua më vonë te vetë Ilia Mazniku, doktori, i cili jo vetëm do të mjekonte të sëmurët, por do të ishte mik e ndihmues ndaj çdokujt që ndodhej në nevojë e në hall.
Ilia, djali i vogël i mjeshtrit duarartë Kozma Maznikut, në fakt nuk u lind në Vërnicë. Kozmai tashmë tërësisht i zënë me ndërtimet, jo vetëm private, por edhe publike në Tiranë, kishte mbaruar edhe një shtëpi të tijën, ku kishte menduar të jetonte me familjen. Ishte një nga më modernet në Tiranë për kohën kur u ndërtua. Në fillim bleu truallin, pastaj filloi ta ndërtonte pak nga pak, ndërmjet punëve të tjera private që bënte, me ndihmën e djalit të madh e pastaj edhe të Llazarit. Familja u zhvendos ngadalë, por plotësisht në kryeqytet. Në fillim kishte me vete vetëm djalin e madh Trajçen, të cilit i mësonte mjeshtërinë. Më 1938-n, kur Llazari mbaroi shkollën fillore, u zhvendos edhe ai në Tiranë për të marrë profesionin e familjes. “Vërnica nuk kishte më shumë se shkollë fillore në atë kohë”, tregon Llazari, në një intervistë. Më pas u zhvendosën të gjithë në kryeqytet.
Familja Mazniku e kishte njohur kurbetin e vuajtjet e mërgimit nga vendlindja. Shtëpia e tyre në Tiranë u bë për shumë vjet, si e përmend edhe Fatos Daci, “strehë që përcillte pa pushim, kurbetllinjtë dibranë”, me “nënë Torpen”, amvisën e zonjën bujare, që e mbante shtëpinë më këmbë, e bënte që çdo mysafir të ndihej si në shtëpinë e tij. Familja Mazniku iu shtua kështu komunitetit të madh dibran me gjurmë e rrënjë të hershme në historinë dhe brumin qytetar të Tiranës, pa të cilin nuk mund të imagjinohet kryeqyteti ynë.
Kur Ilia erdhi në jetë, italianët, të cilët më 15 gusht festojnë Ferragoston, ishin duke mbledhur plaçkat për t’u larguar nga Shqipëria, ndërkohë që vendin e tyre po e zinin gjermanët.
Ishte djali i tretë për Kozmain dhe për Efterpinë dhe fëmija i tyre i katërt. U lind përkatësisht 18, 15 dhe 10 vjet pas fëmijëve të tjerë. Në traditën shqiptare, një djalë si Ilia që vjen kaq vonë në jetë njihet si “djali i pleqërisë”. Ishte djali me të cilin zakonisht banonin prindërit deri në ditën e fundit të jetës. Ilia do të dëshmohej si i veçantë jo vetëm për kohën e lindjes, por edhe se do të shënonte një ndryshim drastik me fatin e tij në jetë, në këtë familje tradicionalisht të lidhur me mjeshtërinë e ndërtimit.
* * *
Ilia ishte ndër të rinjtë e suksesshëm në atletikë, që udhëtuan për në Rumani për të përfaqësuar Shqipërinë në Lojërat Ballkanike në Kluzh të Rumanisë, që u mbajtën në gusht të vitit 1961.
Ishte vera kur Ilia sapo kishte mbaruar shkollën e mesme dhe po afirmohej mes atletëve më të mirë të vendit, ndonëse vetëm 18 vjeç. Pak javë më vonë do të shpallej edhe kampion kombëtar për herë të parë.
Por angazhimi me mish e me shpirt për sportin nuk e kishte bërë të harronte se sfida kryesore mbetej arsimi i lartë. Kishte treguar rezultate shumë të mira në shkollë të mesme dhe nuk kishte dyshim se hapi tjetër ishte universiteti.
Rastësisht ky ishte viti i fundit i studentëve shqiptarë nëpër universitete superiore të Bashkimit Sovjetik dhe të Europës Lindore. Brezi i tij do të ishte i pari i arsimuar tërësisht nga Universiteti i Tiranës.
Babai i tij nuk jetonte më. Si është përmendur edhe më parë në këtë libër, Kozmai kishte qenë një mjeshtër duarartë i ndërtimit si rrallëkush në Shqipëri. Dy vëllezërit e Ilias gjithashtu ishin mjeshtër të shquar, sipas traditës gollobordase e ishin bërë me nam në rang kombëtar. Ilia kishte shansin tani ta mësonte profesionin që nga fillimi edhe në baza shkencore, duke studjuar në Inxhinierinë e Ndërtimit.
Gollobordasit e kishin në gjak ndërtimtarinë, por kohët po ndryshonin si me çdo profesion tjeter. Po ndryshonte lingoja e profesionit, bashkë me teknologjitë e materialet, kurse kredencialet po ktheheshin në detyrime. Nevojitej një nivel tjetër, aty ku familja do të paraqitej me vëllanë e tyre të vogël, të cilit po i jepej mundësi për shkollimin, ajo që u kishte munguar atyre në moshën e tij.
Dhe “djali i pleqërisë” dukej i zoti për gjithçka. I papërtuar në punë dhe i zgjuar e i dalluar në shkollë. Ironia është që Ilia ndërkohë kishte plane të tjera.
I kthyer nga garat ndërkombëtare në Rumani, ai mësoi se i kishte dalë e drejta e studimit për në Fakultetin e Ndërtimit, rezultat mbase i ndikimit të vëllezërve të tij. Por, Ilia kishte plane të tjera.
“Me thënë të drejtën për këtë jam sharë e kam debatuar shumë me vëllezërit, – ka thënë Ilia, duke folur çiltërsisht në intervistën e vitit 2010”. “Atëherë babanë nuk e kishim më dhe Trajçen, si vëllanë më të madh e respektoja, por në këtë pikë edhe me të u grinda.”
Kundër dëshirës së tyre dhe me ndihmën e disa shokëve të afërt, arriti më në fund që ta ndryshonte degën. Humbi pak kohë, por në vitin 1963 filloi studimet në Fakultetin e Mjekësisë dhe nuk pa më kurrë pas.
Aftësitë e tij në ndërtim nuk i harroi kurrë, po ashtu edhe dashurinë për punën me duar. Deri në fund të jetës, sa herë që iu dha rasti rrëmbeu veglat e punës, për të rregulluar ndonjë mur, ndonjë çati, ndërtoi me duart e veta shtëpinë trekatëshe të familjes ku jetoi fundin e jetës etj.
Ndonëse mjek, mbeti deri në fund, në mënyrë shumë të natyrshme një ndërtimtar i lindur. Ishte një triumf i gjenit, i aftësisë së njeriut për të ruajtur mjeshtëritë e fituara në moshë të njomë, një lloj kushtrimi i të parëve, që nuk iu nda kurrë deri në fund të jetës, pavarësisht nga rruga e bukur që ndoqi.