Ish-kryeministri Sali Berisha rikthehet sërish në Gjykatën Kushtetuese, duke mos hequr dorë nga qëndrimi se masat që aplikuan gjykatat ndaj tij nga 21 tetori 2023 e në vazhdimësi, ishin të panevojshme dhe të qëllimshme.
Për këtë arsye, ish-kryeministri kërkon që gjyqtarët të shpallin antikushtetuese masën e arrestit shtëpiak, vendosur ndaj tij më 30 dhjetor, dhe që e detyroi të qëndrojë i kufizuar brenda banesës për 331 ditë, derisa u hoq më 27 nëntor 2024.
Avokatët e ish-kryeministrit thonë se prokuroria nuk mundi dot të provojë mbajtjen në masë shtrënguese të Sali Berishës, nën argumentin se ekzistonte rreziku që të intimidonte dëshmitarët dhe të prishte provat.
Gjykatës Kushtetuese i është drejtuar njëherazi edhe Jamarbër Malltezi, i cili qëndroi nën arrest shtëpiak për gati dy vjet. Megjithatë, kjo gjykatë është shprehur më herët mbi ankesat e Berishës për masën e parë të detyrimit me paraqitje, për të cilën pretendoi se duhej që SPAK t’i ishte drejtuar Kuvendit.
Kushtetuesja shpalli se kërkuesi, në cilësinë e deputetit, nuk gëzon mbrojtje të veçantë në këtë aspekt, ndaj autorizimi nuk ishte i nevojshëm. Kushtetuesja i dha të drejtë Sali Berishës për pikën tjetër të bllokimit të pasaportës, që e quajti jo proporcional.
Me rikthimin në Kushtetuese, Sali Berisha rikthehet te lufta e parë, prej ditës kur gjykata kishte shpallur masën e detyrimit në mungesë, duke vlerësuar se prokuroria e ekzekutoi në shkelje të ligjit, mbasi ai nuk kishte detyrimin të paraqitej derisa vendimi i 21 tetorit të merrte formë të prerë.
Prokuroria thuhet të mos e ketë ekzekutuar asnjëherë vendimin në apel, kështu që Berisha nuk e ka shkelur asnjëherë këtë masë.
Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur ende se kur do ta kalojë në seancë plenare padinë e ish-kryeministrit. Ndërkohë që aty pret të shqyrtohet edhe kërkesa e ish-presidentit Ilir Meta, të cilit nuk iu pranua padia për t’u liruar, mbasi SPAK shikon rrezikun se mund të frikësohen dëshmitarët.