nga Bujar Leskaj
Emergjenca e zjarreve në korrik dhe gusht nxori zbuluar në mënyrë dramatike jo vetëm paaftësinë, por edhe papërgjegjshmërinë kriminale të regjimit Rama. Përballë flakëve që shkrumbuan mijëra hektarë, qeveria tregoi boshllëkun e plotë të strategjisë, kapaciteteve teknike dhe koordinimit institucional. Shqipëria u la në mëshirë të fatit, të klimës dhe të ndihmës së huaj, ndërsa shteti ynë shfaqej i zhveshur nga çdo përgjegjësi.
I. Bilanc tragjik i dëmeve dhe tregues turpërues të reagimit
Bilanci i kësaj katastrofe zbulon dështimin total të shtetit shqiptar. Ndërsa Greqia vuri në veprim 20 mjete ajrore dhe Mali i Zi 9, Shqipëria kishte… zero. Asnjë avion, asnjë helikopter, asnjë kapacitet të vetin për shuarjen e zjarreve!
Për çdo vatër zjarri, ne arritëm të dërgonim vetëm 15–30 zjarrfikës, kurse Mali i Zi vuri mbi 50. Koha e reagimit tek ne ishte deri në 12 orë, një vonesë kriminale, ndërsa fqinjët tanë reagonin për 2 orë. Varësia jonë nga ndihma e huaj ishte 100%, duke treguar qartë se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka braktisur plotësisht përgjegjësinë për mbrojtjen e qytetarëve dhe pasurisë së tyre.
Këta tregues skandalozë dëshmojnë dështimin e plotë të qeverisë Rama, që ka degraduar shtetin shqiptar në një strukturë tërësisht të paaftë.
II. Paaftësi institucionale dhe mungesë e qëllimshme strategjie
Qeveria Rama nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë një strategji kombëtare të përditësuar për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve. Kompetencat janë lënë qëllimisht të shpërndara, për të fshehur përgjegjësinë. Në mungesë të një qendre operative të unifikuar, reagimi ishte kaotik, i vonuar dhe krejtësisht i pasistemuar.
Skandali i madh është fakti që në vitin 2025, Shqipëria është i vetmi vend i rajonit që nuk zotëron asnjë mjet ajror për emergjenca. Zjarrfikësit e varfër vendorë, të ekspozuar ndaj flakëve pa pajisje mbrojtëse, u lanë si mish për top, ndërsa qeveria bënte propagandë boshe nga Tirana.
Varësia e plotë nga ndihma e Italisë, Greqisë dhe Kroacisë dëshmon se Rama ka braktisur çdo investim në kapacitetet tona. Kjo nuk është vetëm paaftësi, është sabotim i vetëdijshëm i interesit kombëtar.
III. Mungesë transparence dhe mashtrim publik
Përveç paaftësisë kriminale, qeveria Rama u përpoq të fshehë realitetin. Raportimet publike ishin të manipuluara: përmendeshin vetëm disa vatra zjarri, kur ndërkohë flakët kishin përfshirë dhjetëra zona. Sipërfaqet e djegura nuk u raportuan kurrë në kohë reale, dëmet mbi pyjet, kullotat dhe bizneset lokale u minimizuan me qëllim mashtrimi.
Në vend të transparencës së kërkuar nga standardet e Bashkimit Evropian, që kërkojnë raportim ditor e të detajuar, qeveria Rama zgjodhi errësirën dhe manipulimin. Banorët nuk morën informacionin minimal për t’u mbrojtur ose evakuuar, zjarrfikësit nuk kishin një panoramë të qartë të situatës, ndërsa partnerët ndërkombëtarë u dezinformuan nga raportime të pjesshme.
Kjo nuk është vetëm mungesë përgjegjësie, është mashtrim i hapur, i kryer mbi shpinën e qytetarëve dhe mbi pasurinë kombëtare.
***
Shqipëria ka nevojë urgjente për investime në mjete ajrore, pajisje moderne dhe një agjenci unike kombëtare për menaxhimin e fatkeqësive. Strategjia parandaluese duhet të përfshijë pastrimin e pyjeve, krijimin e korridoreve kundër zjarrit dhe edukimin e komuniteteve.
Por asnjë nga këto nuk mund të realizohet nga një qeveri që ka braktisur përgjegjësinë, që kryen shpenzime luksi ekstavagante ,që manipulon të vërtetën dhe që ka bërë divorc me interesat e qytetarëve të vet. Sekti Rama është provuar se është rreziku më i madh për sigurinë e shqiptarëve.