Hoteli më i ri luksoz në aeroportin e Romës është krijuar si një oaz qetësie për klientët e tij. Dhomat, me ftohje nën dysheme, janë të mbushura me aroma vajrash esencialë si livando, çaji i gjelbër dhe mente, dhe secila ka një lulishte private. Hoteli ofron masazhe me arnikë, një kopsht të përbashkët ku klientët mund të socializohen, si dhe ekrane të mëdha për videotelefonata me të dashurit që ndodhen larg.
Megjithatë, udhëtarët e lodhur nuk do të gjejnë ndihmë këtu. Me një kapacitet për 40 klientë gjatë natës, Dog Relais është një hotel aeroporti për qen, për pronarët e tyre në udhëtim, ekuipazhe avionësh, udhëtarë biznesi apo turistë, që kanë nevojë për një vend të sigurt për kafshët e tyre sa kohë janë larg.
“Ne synojmë t’u ofrojmë qenve përvojën më të mirë të mundshme gjatë mungesës së pronarëve,” tha Roberto Tortorella, i cili drejton Dog Relais për aeroportin. “Klientët tanë katërkëmbësh duhet të ndihen të lirë të shprehen, të socializohen, të luajnë dhe të ndiejnë dashuri.”
Hoteli, i hapur në korrik, është pjesë e industrisë në rritje të shërbimeve për kafshë shtëpiake, që i shërben një brezi kafshësh me status gjithnjë e më të lartë, paralel me rënien e lindjeve në Itali. Me më pak fëmijë e nipër për t’u kujdesur, italianët po e kanalizojnë më shumë energjinë emocionale, dhe paratë, tek kafshët e përkëdhelura, ku qentë janë të preferuarit.
Shkalla zyrtare e mbajtjes së kafshëve në Itali, rreth 40 për qind e familjeve raportojnë se kanë të paktën një kafshë, është ende më e ulët se në Mbretërinë e Bashkuar (60%) dhe SHBA (66%). Por Tortorella, i cili drejton edhe një qendër kujdesi ditor për qen në qendër të Romës, thotë se megjithëse italianët gjithmonë i kanë dashur qentë, “në 10 vitet e fundit, qentë ose macet trajtohen vërtet si anëtarë të familjes. Është një kulturë e re, miqësore ndaj kafshëve. Ata bëjnë për qentë të njëjtat gjëra që mund t’i bësh për një fëmijë.”
Nga qendrat ditore për qen me shërbim transporti, tek laboratorët e specializuar të patologjisë, deri tek organizimi i varrimeve solemne për kafshët, biznese të reja po mbulojnë gjithë ciklin e jetës së kafshës.
Në vitin 2022, italianët shpenzuan 6.8 miliardë euro për kujdesin ndaj kafshëve, sipas kompanisë italiane të këshillimit Nomisma. Në të kaluarën, qentë ushqeheshin me mbetjet e tryezës, por tani njerëzit janë gjithnjë e më kërkues për ushqimin e tyre. “Shqetësohen për atë që hanë, për cilësinë,” tha Tortorella. “Tani njerëzit edhe gatuajnë për kafshët e tyre.”
Në Romë, qentë kanë akses në vende publike që në shumë vende të tjera janë të ndaluara për kafshët. Në Kaliforni, për shembull, është e paligjshme të hysh me qen në dyqane ushqimore apo restorante (përveç qenve shërbyes). Këtu, askush nuk çuditet t’i shohë në dyqane ushqimore, restorante të mbyllura apo qendra tregtare. Dyqani im lokal madje ka dy karroca të posaçme për qentë. Edhe korridoret e pushtetit nuk kanë mbetur pa u “pushtuar”: senatorja Michaela Biancofiore së fundmi fitoi të drejtën ta sillte në punë qenin e saj të dashur 12-vjeçar, Puggy, duke vendosur një precedent.
“Unë punoj këtu nga mëngjesi deri në mbrëmje dhe qeni nuk mund të qëndrojë vetëm gjithë ditën,” tha Biancofiore në zyrën e saj në senat, teksa Puggy rrinte shtrirë në cep. “Një kujdestar nuk mund t’i japë të njëjtin kujdes si pronari.”
Jo të gjithë janë të lumtur me këtë rritje të rëndësisë së kafshëve. Papa Françesku i ndjerë e ka kritikuar shpesh faktin që çiftet zgjedhin të kenë më shumë kafshë se fëmijë, gjë që sipas tij “e zvogëlon” njerëzimin.
Por politikanët po e përqafojnë trendin. Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni ka filluar të ndajë 250 mijë euro në vit për një “bonus kafshësh” për t’u ndihmuar të moshuarit me të ardhura të kufizuara të mbulojnë shpenzimet veterinare. Së fundmi janë ashpërsuar edhe dënimet për krime kundër kafshëve.
Guglielmo Giordano, themelues i laboratorit të patologjisë veterinare MyLav, thotë se statusi i kafshëve ka ndryshuar thellësisht nga “thjesht kafshë” në “qendra dashurie”.
Kjo përputhet me atë që kam parë edhe vetë. Në parkun e lagjes, më ka prekur një burrë që mban në krah qenushin e tij të moshuar të racës taksa, e vendos butësisht në bar që të shëtisë pak, e më pas e merr përsëri në krah për ta çuar në shtëpi.
Për shumë italianë, qentë janë thjesht shoqërues më besnikë se njerëzit. Siç më tha një punonjës aeroporti: “Një qen nuk të tradhton kurrë.” /Financial Times