Shuma e pagesave në euro të kryera me sistemin AIPS ka pësuar një rekord të ri në muajin korrik.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i pagesave të kryera brenda vendit me sistemin AIPS EURO arriti në 218 mijë në fund të shtatëmujorit. Shifrat tregojnë se korriku rezulton të ketë shënuar rekord sidomos për sa i përket shumës së pagesave në euro, të cilat arritën në 556 milionë, ndërsa numri i transaksioneve ishte 36 mijë.
Nëse bëjmë një krahasim me periudhën janar-korrik 2024, numri i pagesave të realizuara me AIPS EURO ka pësuar një rritje me 21.8%, ndërsa edhe shuma e tyre rezulton gjithashtu me një rritje prej 22.7%. Gjithsej, shuma e transaksioneve të kryera me AIPS arriti në 3.4 miliardë euro në janar-korrik 2025.
Pavarësisht se numri i pagesave ka qenë në rritje nga muaji në muaj, shuma e tyre ka qenë në rënie që prej marsit, duke arritur nivelin më të ulët prej 510 milionë eurosh në qershor. Korriku do të shënonte për herë të parë një rritje prej gati 9% në krahasim me qershorin.
Që prej fillimit të funksionimit të tij në vitin 2022, AIPS Euro ka siguruar kursime të konsiderueshme për qytetarët shqiptarë. Me sistemin kombëtar AIPS Euro, u përcaktuan disa komisione tavan për transfertat kombëtare në euro, duke ulur ndjeshëm kostot për qytetarët në kryerjen e pagesave në euro brenda vendit. Funksionimi i sistemit të pagesave AIPS Euro u ka kursyer bizneseve dhe qytetarëve mbi 37 milionë euro në 2023-in. Deri në fund të 2024, kursimet përllogariteshin në përafërsisht 100 milionë euro.
Sistemi Shqiptar i Pagesave Ndërbankare AIPS përdoret nga bankat për të transferuar në kohë reale shuma të mëdha parash me njëra-tjetrën. AIPS mundëson kryerjen e pagesave të mëdha, të shpejta dhe të sigurta ndërmjet bankave, duke ndihmuar në mirëmbajtjen e operacioneve financiare në vend.
AIPS-EURO përdoret nga qeveria për të shlyer borxhin e jashtëm, nga bizneset e mëdha për të shlyer fatura në vlera shumë të larta dhe nga vetë bankat. Megjithatë, AIPS shpejton në mënyrë indirekte edhe transaksionet për qytetarët, veçanërisht kur bëhet fjalë për shuma të mëdha parash. scan tv