HomeKryesorePas Censusit të Bujqësisë, qeveria synon përdorimin e Inteligjencës Artificiale për zhvillimin...

Pas Censusit të Bujqësisë, qeveria synon përdorimin e Inteligjencës Artificiale për zhvillimin e sektorit

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Pas nismës së planifikuar për realizimin e Censusit të Bujqësisë, qeveria shqiptare po hap një kapitull të ri për modernizimin e këtij sektori përmes integrimit të inteligjencës artificiale (IA). Në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit po zbaton një projekt pilot që e pozicionon Shqipërinë ndër tre vendet e para në botë me një model të tillë.

Sistemi i IA-së do të trajnohet me një bazë të gjerë të dhënash, duke kombinuar të dhëna historike bujqësore, informacione meteorologjike dhe imazhe satelitore nga burime si Open Meteo dhe Sentinel-2.

Kjo teknologji do të mundësojë parashikimin e sasisë dhe cilësisë së të korrave, identifikimin e rreziqeve si përmbytjet dhe thatësirat, si dhe optimizimin e përdorimit të ujit, plehrave dhe pesticideve. Ujitja e saktë mund të rrisë prodhimin deri në 40%, ndërsa spërkatja dhe plehërimi i targetuar do të kursejë shpenzime dhe do të mbrojë mjedisin.

Përveç parashikimit të prodhimit, IA-ja do të ndihmojë edhe në vlerësimin e përdorimit të granteve bujqësore, duke verifikuar nëse fondet janë shpenzuar sipas qëllimit. Në fazën fillestare janë përzgjedhur pesë kultura bujqësore për testim, duke u mbledhur të dhëna për një periudhë pesëvjeçare.

Qeveria argumenton se përfshirja e IA-së do t’i ndihmojë fermerët të përballojnë sfidat e konkurrencës rajonale dhe mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar, duke u dhënë atyre mjete për rritjen e cilësisë, uljen e humbjeve dhe lehtësimin e ngarkesës së punës.

Në bujqësi, inteligjenca artificiale u mundëson fermerëve të spërkasin pikërisht aty ku rriten barërat e këqija dhe të plehërojnë pikërisht aty ku mund të rritet prodhimi, ndërkohë që mbrojnë zonat me rrezik më të lartë të rrjedhjes së ujërave sipërfaqësore. Përdorimi më i mirë i burimeve do t’u kursejë para fermerëve dhe do t’i shërbejë mjedisit.

Gjithashtu, Inteligjenca artificiale do t’u mundësojë fermerëve të mbledhin një sasi të madhe të dhënash nga sistemet shtetërore dhe publike, të analizojnë të gjitha këto të dhëna duke u ofruar fermerëve zgjidhje për shumë çështje të paqarta, gjë që do të rezultojë në rritje të prodhimit për fermerët dhe orientim të produktit sipas nevojave dhe kërkesave.

Automatizimi përmes IA-së në bujqësi mund të zbatohet në disa procese dhe do të ulë rreziqet duke u mundësuar fermerëve bujqësi më efikase.

Në një kohë kur OKB parashikon që deri në vitin 2050 dy të tretat e popullsisë botërore do të jetojnë në zona urbane, automatizimi përmes IA-së shihet si mjeti kryesor për të siguruar ushqim të mjaftueshëm dhe cilësor, duke mbrojtur njëkohësisht burimet natyrore. /ekofin.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular