Sanitaret e Spitalit Psikiatrik në Vlorë janë ngritur në protestë për mungesën e pagesës së rrogës, mungesën e kontratës së punës, deklarimin e gabuar në bankë, pagat e ulëta dhe kushtet e vështira të punës.
Në muajin e dytë pa marrë rrogën sanitare e Spitalit “Ali Mihali”, kanë dalë këtë të hënë në protestë duke kërkuar zgjidhje. Ato thonë se kanë kërkuar të takojnë drejtuesen e Spitalit dhe përfaqësues të Firmës private që menaxhon Sanitaret, por prej gati dy muajsh askush nuk u përgjigjet.
Pagat minimale dhe mos pranimi për t’i pajisur me kontratë pune janë kosto që siç thonë sanitaret u rrezikon punën dhe të ardhmen në punë. Ato shtojnë se nga administrata e Spitalit janë kërcënuar me largim nga puna.
“Jemi kryefamiljare, mbajmë familjet, kemi nga 40 vite punë në këtë institucion, trajtohemi keq”-, shtojnë ato.
Të kontaktuar, Inspektorati Shtetëror i Punës thotë se do të paraqiten në drejtori për t’u interesuar mbi situatën. Ndërsa nga vetë drejtoria e Spitalit nuk ka përgjigje, duke ia kaluar përgjegjësinë firmës private të kontraktuar për shërbimin e sanitareve. Ndërsa vetë sanitaret thonë se do të sabotojnë punën në rast të mos dhënies së një zgjidhje.