Qeveria ka propozuar ndryshime në organizimin e institucioneve të administratës publike, duke reduktuar kategorinë e institucioneve jo-ministrore nga 3 që janë aktualisht në 2, me qëllim rritjen e funksionimit dhe llogaridhënies. Për krijimin e institucioneve të varësisë nga ministritë është propozuar vendosja e një pragu minimal të punonjësve që do të justifikojë krijimin e tyre.
Ndryshimet janë propozuar në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore” të publikuar te konsultimet publike.
Sipas projektligjit për ndryshimet në Ligjin nr. 90/2012, i cili është pjesë e Reformës në Administratën Publike, numri i tipologjive të institucioneve joministrore do të reduktohet nga 3 në 2, në funksion të qartësimit të rolit dhe përgjegjësive të tyre. Drafti propozon bashkimin e Institucioneve të Varësisë dhe Agjencitë Autonome në një kategori të vetme, ndërsa Autoritetet Rregullatore do të rikonceptohen si një lloj i veçantë me autonomi funksionale të garantuar sipas standardeve evropiane.
“Legjislacioni në fuqi parashikon tre lloje të trupave joministrore: Institucionet e Varësisë (IV), Agjencitë Autonome (AA), të dyja në varësi të ministrive dhe që kryejnë të njëjtat funksione të zbatimit të politikave, por me regjime të ndryshme juridike të organizimit dhe funksionimit, dhe Autoritetet apo Entet Rregullatore (ARr) që janë krijuar me ligje të veçanta, dhe që i raportojnë Kuvendit dhe kryejnë gjithashtu funksione të zbatimit të politikave, por specifikisht të natyrës rregullatore (tregjeve dhe industrive).
Dallimi aktual midis institucioneve të varësisë dhe agjencive autonome nuk bazohet në kritere të dallimit funksional. Gjithashtu, mbajtja e autoriteteve rregullatore jashtë mbikëqyrjes së qeverisë, sjell problematika në zbatimin e parimit të ndarjes së pushteteve, fragmentarizmin e aftësisë/përgjegjësisë së qeverisë për hartimin dhe zbatimin e politikave shtetërore dhe vakum në sistemin e përgjegjësisë e llogaridhënies qeveritare”, citohet në relacion.
Projektligji propozon ekzistencën e vetëm dy llojeve të trupave joministrore/ekzekutive, pra mbajtjen e institucioneve klasike të varësisë (IV) ku sipas këtij propozimi do të përfshihen edhe agjencitë aktuale autonome, dhe ri-konceptimi tërësor i Agjencive Autonome për të akomoduar tipologjinë aktuale të Autoriteteve Rregullatore, duke rregulluar regjimin e tyre juridik të organizimit dhe funksionimit të aftë për të garantuar një autonomi funksionale të plotë në kryerjen e funksioneve rregullatore, siç kërkohet nga legjislacioni evropian për secilin nga rregullatorët”, citohet në relacion.
Në projektligj gjithashtu sillet në vëmendje edhe situata problematike me institucionet e vogla në varësi të ministrive, duke nënvizuar nevojën për rregullimin e funskionimit të tyre.