Një autobus me pasagjerë nga Kosova, që ishte nisur drejt Mynihut, është përfshirë në një aksident të rëndë gjatë natës në autostradën gjermane, ku si pasojë 30 persona janë lënduar, dy prej tyre në gjendje të rëndë
Sipas mediave gjermane, aksidenti ndodhi rreth orës 00:30 në afërsi të qytetit Rosenheim, në jug të Gjermanisë. Në autobus ndodheshin rreth 50 pasagjerë, shumica shqiptarë nga Kosova.
Autobusi, që i përkiste kompanisë “Dubova Reisen”, u përplas me pjesën e pasme të një kamioni që transportonte perime, i drejtuar nga një shtetas polak 46-vjeçar. Goditja ka qenë e fortë, duke shkaktuar dëme të mëdha në pjesën e përparme të autobusit dhe dëmtime serioze edhe në rimorkion e kamionit.
Policia gjermane ka konfirmuar se 30 persona kanë pësuar lëndime, ndërsa dy pasagjerë janë në gjendje të rëndë dhe janë dërguar menjëherë në spital. Katër të tjerë janë transferuar në klinika për vlerësim të mëtejshëm.
Për shkak të aksidentit, autostrada në drejtim të Mynihut u mbyll plotësisht për rreth dy orë, duke shkaktuar trafik të rënduar.
Kompania “Dubova Reisen”, që operon linja të rregullta Kosovë–Gjermani, ka konfirmuar incidentin për Radion Evropa e Lirë dhe ka dhënë një version më të zbutur të ngjarjes.
“Fatmirësisht, pasagjerët janë mirë. Vetëm tre prej tyre kanë lëndime të lehta për shkak të thyerjes së xhamave. Aksidenti ndodhi rreth orës 00:30 kur një makinë, që vinte nga e majta, ia preu rrugën autobusit dhe i humbi drejtimin shoferit tonë,” – thuhet në deklaratën e kompanisë.
Autoritetet gjermane po hetojnë shkaktarët e saktë të aksidentit. Ende nuk është bërë e qartë nëse fajtor konsiderohet autobusi, kamioni apo ndonjë tjetër mjet që mund të ketë ndikuar në incident.