Ish-zv.drejtori i AKSHI-t, Daniel Shima, i cili u zhduk pa asnjë gjurmë ditën e djeshme (20 Gusht) pasi i dërgoi familjes së tij mesazh “po më arrestojnë” është rikthyer në banesë.
Burimet informojnë se Daniel Shima është kthyer tek familja e tij.
Ai ka pretenduar se u largua në jug të vendit pas një sherri që ka pasur me të dashurën e tij.
Por, ish-zv.drejtori i AKSH-it nuk ka shpjeguar pse dërgoi mesazh familjarëve që po e arrestonin.
Lajmi për zhdukjen
Policia njoftoi ditën e djeshme se denoncimi për zhdukjen e Shimës ishte bërë nga nëna e tij, rreth orës 17:00.
Ndërsa burime bënë me dije se Daniel Shima u ka dërguar një mesazh të afërmve, duke i njoftuar se po e arrestonin dhe pas këtij momenti, komunikimi me të është ndërprerë.
Më herët, Shima është thirrur për t’u pyetur në SPAK në lidhje me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Tiranë/Informacion
Më datë 20.08.2025, rreth orës 17:00, në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është paraqitur shtetasja M. Sh., e cila ka kallëzuar se ditën e sotme ka humbur kontaktet me djalin e saj, shtetasin D. Sh., 34 vjeç.
Shërbimet e Policisë po punojnë për sqarimin e rrethanave të rastit dhe për gjetjen e tij.