Kristjan Asllani do të jetë një futbollit i Torinos. Për këtë duken të sigurt në Itali, pas një kthese të plotë të mesfushorit në krahasim me bisedimet deri në drekë për transferimin e tij. Ai mendohej se do të përfundonte te Bolonja, por tashmë ka marrë drejtimin e Torinos, pasi klubi granata i ka bërë një ofertë më të rëndësishme ekonomike.
Nëse Bolonja i ofronte 1,7 milionë euro në sezon, Asllani kërkonte 2, që ia ka garantuar Torino duke parë hezitimin e tij për të firmosur me kuqeblutë. Interi kishte një akord me Bolonjën, për shitjen e Asllanit për 9 milionë euro teksa ruante edhe të drejtën e 40% të vlerës së një shitje të ardhshme të mesfushorit.
Por situata ka ndryshuar plotësisht gjatë pasdites duke hapur edhe një herë diskutimet, pasi Asllani bëri të qartë se preferonte transferimin te Torino. Sipas Xhanluka Di Marzio, Torino i ka bërë një propozim të parë Interit për huazimin për 1,5 milionë euro të lojtarit në këtë sezon, me të drejtën e blerjes së tij për rreth 12 milionë euro.
Palët janë ende në bisedime, por shpresojnë të mbyllin gjithçka brenda ditës së nesërme, për t’i dhënë fund kësaj telenovele të merkatos që ishte me shumë të papritura.