Prof.Pal Nikolli
Në historinë e njerëzimit, hartat nuk kanë qenë vetëm mjete shkencore për të përshkruar hapësirën, por edhe instrumente të fuqishme politike e ushtarake. Studiuesi i njohur Mark Monmonier ka theksuar me të drejtë se “hartat në kohë lufte janë armë që përdoren për të manipuluar perceptimin e territorit dhe të popullsive” (Monmonier, How to Lie with Maps). Kjo thënie sintetizon një të vërtetë themelore: harta nuk është kurrë thjesht një pasqyrim neutral i realitetit, por një narrativë vizuale e ngarkuar me ideologji, që u shërben interesave të caktuara.
Në periudha lufte, fuqia e hartës qëndron tek aftësia për të legjitimuar pretendime, për të justifikuar pushtime dhe për të ndryshuar vetë kuptimin e hapësirës. Një kufi i vizatuar me një vijë të trashë mund të krijojë perceptimin e një “të drejte historike”, edhe nëse realiteti demografik e historik është shumë më kompleks. Përmes ngjyrave, shenjave dhe përzgjedhjes së të dhënave, harta shndërrohet në një mjet propagande që shërben për të bindur diplomatë, gjeneralë dhe opinione publike.
Shembujt historikë janë të shumtë, por rasti shqiptar është ndër më domethënësit. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913) dhe më pas në Konferencën e Paqes në Paris (1919), fuqitë e mëdha përdorën harta të fabrikuara për të legjitimuar copëtimin e trojeve shqiptare. Hartat serbe, greke dhe malazeze paraqitnin territore të tëra të banuara nga shqiptarë si “zona etnike sllave” ose “tokë greke”. Një ngjyrë e hedhur mbi një sipërfaqe të bardhë shndërrohej në argument diplomatik për aneksimin e Kosovës nga Serbia apo të Çamërisë nga Greqia. Në të kundërt, përfaqësuesit shqiptarë u detyruan të përdorin harta etnografike për të mbrojtur të drejtën e Shqipërisë për ekzistencë shtetërore.
Këto harta nuk ishin thjesht vizatime. Ato ishin “ushtri të heshtura” që luftonin në tavolinat e diplomatëve, ku fati i kombeve vendosej jo gjithmonë nga pushka, por edhe nga lapsi i hartografit. Dhe në këtë betejë, gënjeshtra vizuale shpesh kishte pasoja të dhimbshme për popuj të tërë.
Ky shkrim ngre një pyetje thelbësore: a jemi të ndërgjegjshëm për fuqinë manipuluese të hartës edhe në kohën tonë digjitale? Në epokën e “Google Maps” apo “GIS”-it, rreziku mbetet i pranishëm. Nëse në të kaluarën një hartë e shtypur mund të ndikonte në vendimet e një konference paqeje, sot një hartë interaktive mund të manipulojë opinionin publik global në pak sekonda.
Prandaj, është detyrë e studiuesve, gazetarëve dhe qytetarëve të mbeten kritikë ndaj çdo harte që u paraqitet. Një hartë nuk është e pafajshme: ajo flet, ajo bind, ajo lufton. Dhe, siç na paralajmëron Monmonier, ajo mund të gënjejë. Në kohë lufte, kjo gënjeshtër nuk është vetëm një mashtrim intelektual; është një armë.