HomeAktualitet“KLGJ të reagojë!”, Unioni i Gjyqtarëve kundër Ramës: Sulmet ndaj gjyqtarëve, presion...

“KLGJ të reagojë!”, Unioni i Gjyqtarëve kundër Ramës: Sulmet ndaj gjyqtarëve, presion i papranueshëm

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar me një deklaratë të fortë ndaj kritikave të fundit publike të kryeministrit Edi Rama, drejtuar gjyqtarëve Hazbi Balliu dhe Klarent Demiri. Reagimi i kreut të qeverisë, i cili i akuzoi dy gjyqtarët se me vendimet e tyre kanë cënuar interesin publik, është cilësuar nga Unioni si një formë presioni të drejtpërdrejtë ndaj gjyqësorit dhe një shkelje e parimeve themelore të ndarjes së pushteteve.

Sipas deklaratës së plotë të Unionit, deklaratat e kryeministrit përbëjnë jo vetëm një sulm personal ndaj gjyqtarëve individualë, por krijojnë gjithashtu një atmosferë frike dhe presioni ndaj gjithë trupës gjyqësore.

“Unioni i Gjyqtarëve ka ndjekur me vëmendje pakënaqësitë e shprehura publikisht nga ana e Kryeministrit ndaj disa vendimeve gjyqësore, duke anatemuar personalisht gjyqtarët për vendimmarrjet dhe kthyer ushtrimin e detyrës kushtetuese në një gjyq publik, ku njëra nga palët ndërgjygjëse për shkak të fuqisë, hapësirës mediatike dhe virtuale, jo vetëm denigron figurën e gjyqtarëve individualë, por ushtron presion të hapur ndaj trupës gjyqësore në tërësi, duke përcjellë mesazhin te gjyqtarët se nëse vendimmarrja e tyre nuk do të pëlqehet, do të jenë objektivat e radhës.

Këto deklarata me gjuhë dhe sjellje të papranueshme, të cilat nuk kanë aspak lidhje me shtetin e së drejtës dhe qeverisjen demokratike, vishen nën petkun e reformës së radhës dhe rreshtuar si gjithmonë gjyqtarët në llogoren e antireformës, kur vetë ‘Sistemi i drejtësisë’, ende nuk është maturuar pas reformës së thellë që kaloi dekadën e fundit!” thuhet në reagimin e UGSH-së.

UGJSH thekson se mirëpret çdo kritikë ndaj sistemit gjyqësor, për sa kohë ajo qëndron brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, duke shërbyer si mjet për rritjen e besimit të publikut te drejtësia. Megjithatë, kritikat publike nga figura të larta shtetërore, sipas tyre, po e çojnë gjyqësorin drejt një stadi të ri presioni politik.

“Pa dashur për t’u përfshirë në debate virtuale në periudhë pushimesh, dëshirojmë të theksojmë se UGJSH mirëpret dhe inkurajon çdo kritikë ndaj gjyqtarëve dhe punës së tyre, kur këto kritika janë brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, të cilat kanë për qëllim t’i shërbejnë rritjes së besimit të publikut tek gjykatat, forcimit të pavarësisë së gjykatave, të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Por, nga ana tjetër vërejmë se në mënyrë të përsëritur bëhen deklarata, komente dhe ndërmerren iniciativa, të cilat nuk janë aspak parimore, nuk kanë për qëllim forcimin e pavarësisë së vendimmarrjes së gjykatave dhe parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor, por cënojnë drejtpërdrejt integritetin e gjyqtarëve, duke i fyer, deformuar dhe keqinterpretuar faktet, çështjet ligjore, apo procedurat e ndjekura, ndërkohë që vendimet jepen ‘NË EMËR TË REPUBLIKËS’ dhe çdo palë që është e pakënaqur, ka të drejtën e ankimit në një gjykatë më të lartë, apo vendosë në lëvizje organet disiplinore për çdo shkelje të ligjit qe pretendon se ka kryer gjyqtari.”, vazhdon reagimi i UGSH-së.

Në përmbyllje të qëndrimit të saj, UGJSH i bën thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor që të reagojë publikisht dhe të mbrojë integritetin e gjyqtarëve të sulmuar për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre kushtetuese, “pavarësisht se nga vijnë” këto sulme.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular