Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e sotme qarkun e Vlorës. Rreth orës 20:15, në aksin rrugor Sarandë–Delvinë, ka ndodhur një aksident fatal ku u shuan dy jetë të reja, ndërsa një tjetër vajzë mbeti e plagosur.
Sipas të dhënave paraprake të Policisë, në aksident janë përfshirë dy automjete. Një mjet tip “Audi”, i drejtuar nga një 23-vjeçar, është përplasur me një mjet tip “Lancia”, që drejtohej nga 22-vjeçarja Ela Dhimaku nga fshati Kopaçeza.
Përplasja fatale u bë shkak për humbjen e jetës së drejtueses së automjetit, Ela Dhimaku, si dhe të motrës së saj, 20-vjeçares Rezi Dhimaku, e cila ndodhej pasagjere. Po ashtu, një tjetër pasagjere në automjetin “Lancia”, 24-vjeçarja Antonela Zhupa, ka mbetur e plagosur dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Forcat e policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje, ku po punojnë për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.
