Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka paraqitur sot (25 gusht) apelin kundër vendimit të GJKKO-së që e la në arrest me burg.
Presidenti i PL-së kërkon rishikimin e masës së sigurisë duke kërkuar një lehtësim të saj, me 3 forma “ndalimi të daljes jashtë shtetit, paraqitje përpara oficerit të policisë gjyqësore ose garancia pasurore.”
“Në kushtet e krijuara dhe persa cituam me siper, i kerkojme Gjykatës se Posaçme te Apelit ndryshimin e vendimit nr. 546 date 13.08.2025 te Gjykates Shkalles Pare kunder Korrupsionit dhe Krimit Organizuar, dhe pranimin e kerkesës per zëvendesimin e mases sigurimit personal per te pandehurin Ilir Metaj ne nje mase tjeter që te jete propocionale me rrethanat e krijuara, por edhe me personalitetin e tij. Per ne masat me të pershtatshme jane: Ndalimit te daljes jashte shtetit, Paraqitaja perpara oficerit policise gjyqesore, dhe Garancia pasurore”, thuhet në dokumentin e apelit të Ilir Metës.
Më 22 gusht Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar refuzoi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj Ilir Metës, duke argumentuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për një masë më të butë sigurimi.
Në vendimin e saj, gjykata arsyetoi se pozita procedurale e Metës është rënduar, pasi ndaj tij është konsoliduar akuza dhe është marrë në cilësinë e të pandehurit, për vepra penale të rënda si Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë, në tre raste (dy prej tyre në bashkëpunim), Pastrimi i produkteve të veprës penale, në bashkëpunim dhe në mënyrë të përsëritur, Fshehje dhe mosdeklarim i pasurisë, sipas nenit 257/a/2 të Kodit Penal.