HomeOP EDSi INSTAT dhe sekti "Rama" shpikën 4 milionë turistë nga hiçi/nga Bujar...

Si INSTAT dhe sekti “Rama” shpikën 4 milionë turistë nga hiçi/nga Bujar Leskaj

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Nga Bujar Leskaj
U bënë disa vite rresht që INSTAT dhe qeveria e sektit Rama raportojnë bum turistësh të huaj në vend, duke përfshirë në mënyrë abuzive në kategorinë “turist”, vizitorë të huaj që nuk kanë aspak lidhje me aktivitetet turistike.

Procesi i matjes së flukseve turistike ka mbetur një ndër sfidat kryesore të statistikave zyrtare në Shqipëri gjatë viteve të fundit, e trajtuar në mënyrën më amatoreske dhe të papërgjegjshme. Shifrat e raportuara shpesh pasqyrojnë të gjithë vizitorët e huaj që hyjnë në vend si turistë, edhe pse një pjesë e tyre janë për arsye pune, tranziti apo vizita afatshkurtra, që nuk lidhen drejtpërdrejt me turizmin.

I. Pse katër milionë turistë mungojnë në apel

Në vitin 2024 u regjistruan mbi 10 milion hyrje të shtetasve të huaj, ku një pjesë e madhe përfshinin individë që kishin pak ose aspak të bënin me turizmin. 2.1 milion prej të ardhurve të huaj ishin hyrje për arsye pune dhe biznesi, 1.2 milionë ishin udhëtarë tranzit nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, me destinacion për në Rinas, për fluturime në vende të tjera dhe kthim, ndërsa gjysmë milioni ishin vizitorë për arsye studimi, shëndeti apo qëllime të tjera. Edhe pse rreth katër milionë vizitorë të huaj nuk kanë të bëjnë me aktivitetet turistike, prapë regjistrohen nga INSTAT dhe Policia Kufitare si të tillë. Mungesa e kategorizimit të saktë bën që shifrat e turizmit të fryhen artificialisht, duke krijuar perceptime të shtrembëruara mbi kontributin real të sektorit.

Dhe prej këtej vijnë mburrjet e drejtuesit të sektit Rama në pushtet apo të ministrave të tij, për gjoja 10 milionë turistë të huaj vitin e kaluar! Kjo krijon një shtrembërim të të dhënave, duke ndikuar jo vetëm në perceptimin e gabuar publik dhe ndërkombëtar, por edhe në politikat ekonomike të lidhura me turizmin.

Metodologjia e INSTAT dhe Policisë Kufitare klasifikon shumicën e hyrjeve të shtetasve të huaj si “vizitorë/turistë”, pavarësisht qëllimit të udhëtimit. Kjo jo vetëm krijon pasaktësi statistikore, pasi mungon ndarja mes turistëve realë dhe vizitorëve për arsye të tjera, por çon edhe në politika të gabuara publike. Me këto matje, strategjitë e turizmit bazohen në të dhëna të fryra dhe jo në kërkesën reale të tregut. E gjitha kjo sjell keqorientim të investimeve, ndërkohë që nevojat për infrastrukturë për kategori të tjera vizitorësh mbeten të paplotësuara.

II. Edhe në turizëm, sekti Rama “shkëlqen” në mungesë transparence dhe injorim të praktikave të mira të rajonit dhe BE-së

Shqipëria e sektit Rama në pushtet “shkëlqen” kështu në mungesë transparence. Të dhënat që jep me mburrje qeveria nuk përputhen me raportimet e organizatave ndërkombëtare, si Organizata Botërore e Turizmit, OECD, PNUD, etj. Për shkak të të dhënave të fryra në ardhje turistësh, Shqipëria shihet si vend me statistika të manipuluara, duke dëmtuar rëndë kredibilitetin ndërkombëtar të saj.

Sektit në pushtet i ka shërbyer injorimi i qëllimshëm i të gjitha qasjeve dhe eksperiencave të suksesshme të matjes së turistëve të huaj nga rajoni dhe vendet e Bashkimit Evropian. Për shembull, Mali i Zi ka një sistem të detyrueshëm regjistrimi elektronik të turistëve përmes platformës qendrore “eVisitor”, ku çdo hotel, bujtinë apo pronar që jep shtëpi me qira është i detyruar të deklarojë vizitorët brenda 24 orëve nga mbërritja. Ky regjistrim lidhet drejtpërdrejt me taksën e qëndrimit dhe me statistikat zyrtare.

Kroacia gjithashtu zbaton sistemin “eVisitor”, i cili konsiderohet model për rajonin. Regjistrimi bëhet online, është i integruar me policinë kufitare dhe me institucionet tatimore, duke siguruar shifra të sakta për turizmin dhe për të ardhurat nga taksat lokale. Maqedonia e Veriut përdor një sistem të centralizuar, ku hotelet dhe strukturat akomoduese raportojnë në Ministrinë e Brendshme dhe në Ministrinë e Ekonomisë, ndërsa shkeljet penalizohen me gjoba të larta.

Ndër praktikat në vendet e Bashkimit Evropian, në Itali çdo hotel apo strukturë mikpritëse është e detyruar të regjistrojë turistët në sistemin e policisë “Portale Alloggiati” (në italisht, Portali i të Mikpriturve) brenda 24 orëve. Sistemi është i lidhur edhe me shërbimet fiskale. Në Spanjë, një vend i zhvilluar turistik, regjistrimi bëhet përmes sistemeve rajonale, por në të gjitha rastet të dhënat kalojnë në polici dhe në autoritetet e turizmit. Regjistrimi është i detyrueshëm edhe për apartamentet me qira afatshkurtër, si p.sh. Airbnb. Në Francë strukturat akomoduese kanë detyrim të mbajnë regjistër vizitorësh dhe t’i raportojnë autoriteteve. Përveç aspektit të sigurisë, kjo lidhet me pagesën e taksës së qëndrimit.

III. Kaosi i qëllimshëm i statistikave të turizmit në Shqipëri

Të gjitha këto praktika të suksesshme sekti Rama i kishte përpara, por zgjodhi t’i injoronte. Shqipëria ende nuk ka një sistem unik elektronik për regjistrimin e turistëve. Hotelet dhe strukturat akomoduese kanë detyrime ligjore për të raportuar vizitorët në polici, por kontrolli është i dobët dhe shpesh nuk aplikohet. Një pjesë e madhe e akomodimit (shpesh informal, si apartamente me qira ditore) nuk raportohet, duke sjellë mungesë të statistikave reale për numrin e turistëve, humbje të të ardhurave nga taksa e qëndrimit dhe probleme sigurie, pasi autoritetet nuk kanë informacion të plotë mbi të huajt që hyjnë dhe qëndrojnë në territorin tonë.

Tek ne, regjistrimi i parregullt ndodh për disa arsye kryesore: dominimi i akomodimit informal (apartamente private të paregjistruara në tatime), mungesë sistemi të centralizuar digjital të lidhur me policinë kufitare dhe tatimet, zbatim i dobët i ligjit dhe mungesë gjobash efektive ndaj shkelësve.

Qeveria mbyll sytë dhe toleron informalitetin e lartë në turizëm, mes shumicës së pronarëve të njësive akomoduese dhe shtëpive që jepen me qira, të cilët shmangin raportimin për të mos paguar taksa.

Shqipëria dhe shqiptarët humbin shumë në këtë eldorado papërgjegjshmërie. Statistikat e turizmit dalin të fryra ose të pasakta, duke ulur besueshmërinë ndërkombëtare. Buxheti i Shtetit dhe bashkitë humbin të ardhura të rëndësishme, ndërkohë që vështirësohet planifikimi i politikave publike për turizmin, si infrastruktura dhe shërbimet. Nga regjistrimi i parregullt cenohet edhe siguria kombëtare, pasi autoritetet nuk kanë të dhëna të plota mbi lëvizjen e vizitorëve.

xx

Ndërsa vendet e rajonit dhe të BE-së kanë kaluar prej kohësh në sisteme elektronike të detyrueshme dhe të integruara te matjes se turisteve, Shqipëria ende vuan nga një regjistrim i fragmentuar dhe shpesh fiktiv i tyre. Zgjidhja kërkon ngritjen e një platforme kombëtare të ngjashme me “eVisitor” të Kroacisë, të lidhur me policinë, tatimet dhe bashkitë, duke bërë raportimin automatik dhe të detyrueshëm për çdo vizitor. Por sekti Rama nuk ka ndërmend kurrë ta bëjë këtë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular