HomeKronikeVdekjen e quajti “zonjë madhështore”, sot homazhet për Artur Zhejin! Nuk arriti...

Vdekjen e quajti “zonjë madhështore”, sot homazhet për Artur Zhejin! Nuk arriti dot të festonte më 29 gusht ditëlindjen e tij të 64-t

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Gazetari dhe publicisti Artur Zheji u nda nga jeta në mënyrë të papritur pasditen e së shtunës, pas një arresti kardiak, ndërkohë që ndodhej për pushime me familjen e tij në Sarandë.

Artur Zheji ishte një prej figurave më të shquara të mendimit, publicistikës dhe gazetarisë shqiptare. Nuk arriti dot të festonte më 29 gusht ditëlindjen e tij të 64-t. Por dita e sotme do të jetë një ditë në nder të Artur Zhejit.

Nga ora 10:00 deri në mesditë, në mjediset e Universitetit të Arteve organizohen homazhet për ndarjen e parakohshme nga jeta të një prej figurave më të rëndësishme të publicistikës moderne. Ceremonia private do të mbahet më pas te “Alba 2000”. Artur Zheji do të prehet në Tufinë, pranë të atit, gjuhëtarit të madh Petro Zheji. Shqipëria humbi një mendimtar të rrallë, analist, gazetar me karrierë të gjatë e të suksesshme, që u largua nga jeta befas në një moshë të re 63-vjeçare, duke lënë një boshllëk në jetën publike.

Publicist, analist, mendimtar dhe një ndër zërat më të artikuluar të shoqërisë sonë, u nda nga jeta në moshën 64- vjeçare, si pasojë e një arresti kardiak në Sarandë. Sipas njoftimit të policisë, ai është ndjerë keq rreth orës 16:10 dhe gjatë kohës që po transportohej në spital ka ndërruar jetë. Lindur më 29 gusht 1961 në Tiranë, Artur Zheji rridhte nga një familje me rrënjë të thella në historinë dhe kulturën shqiptare. Djali i gjuhëtarit të shquar Petro Zheji dhe i aktores së njohur Besa Imami, ai u rrit në një ambient të pasur kulturor dhe intelektual, që më vonë do të shërbente si themel për rrugëtimin e tij në gazetari dhe filozofi politike.

Ai u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve për regji dhe më pas punoi si dramaturg në Teatrin Kombëtar. Në vitet ’90, Zheji e zhvilloi karrierën e tij në median italiane, duke u bërë një nga gazetarët më të njohur të radios radikale. U kthye në Shqipëri në kohën e luftës së Kosovës, ku me emisionin “Luftë apo paqe në Kosovë”, i dha një tjetër hov televizionit në Shqipëri. Zheji nuk ishte thjesht një analist. Në një epokë të mbingarkuar me lajme të shpejta dhe debate sipërfaqësore, ai guxonte të ngrinte pyetje të mëdha, të sfidonte konformizmin dhe të depërtonte thellë në kuptimin e ngjarjeve. Gjatë karrierës së tij shumëvjeçare, dha një kontribut të vyer në disa prej institucioneve kryesore mediatike të vendit.

Ka qenë drejtues në Radio Televizionin Shqiptar, në Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe drejtor i gazetës “Mapo”, ku u dallua për stilin e tij të mprehtë dhe analizat e thelluara. Publikut të gjerë iu bë i njohur përmes emisionit “360 Gradë”, të cilin e drejtoi duke sjellë zëra të ndryshëm me kurajë dhe integritet profesional. I lidhur fort me Shqipërinë, me historinë dhe trashëgiminë e saj, Zheji ishte një kritik i ndershëm dhe dashamirës i vendit të vet. Ai besonte se dashuria për atdheun shprehet me guximin për të thënë të vërtetën, sado e vështirë të jetë ajo.

Nip i studiuesit të njohur Gjergj Zheji dhe pinjoll i një dinastie të ndritur intelektuale, Artur Zheji mishëroi përkushtimin ndaj dijes, mendimit të lirë dhe përgjegjësisë publike. Ai ishte mentor për shumë gazetarë të rinj, koleg i respektuar dhe njeri me integritet të pakompromis. Largimi i tij lë një boshllëk të ndjeshëm në median shqiptare dhe në jetën publike. Zëri i tij do të mungojë në debatet e ditës, në editorialet e kthjellëta dhe në interpretimet që nxisnin reflektim e diskutim të thelluar.

Zheji mbetet një pikë referimi për ata që zgjedhin të mendojnë para se të flasin dhe të pyesin përpara se të gjykojnë. Figura e tij mbetet e lidhur ngushtë me zhvillimin e mendimit kritik dhe jetës publike në Shqipëri, dhe do të kujtohet si një gazetar e analist me integritet, që i dha peshë debatit publik shqiptar. E quante “zonjë madhështore” vdekjen, në shkrimin dedikuar ndarjes nga jeta të Ismail Kadaresë, e një vit më vonë, çfarë ai përshkruante si lutje e heshtur e njeriut për të shtyrë takimin me të, nuk u dëgjua. Zheji do të mbahet mend për lidhjen e fortë me Shqipërinë dhe do të mbetet një pikë referimi për gazetarinë shqiptare.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular