Adriatik Lapaj ishte mbrëmjen e sotme në News24 për të folur pë vijimin e aksionit të tij politik në krye të “Shqipëria Bëhet”. Lapaj theksoi se beteja e tij nuk ka qenë për një mandat deputeti, por për hapjen e listave dhe garë të ndershme për qytetarët.
Ai tha se, nëse do të kishte dashur të hynte në Kuvend, e kishte të lehtë, pasi vetë kishte firmosur listën, por theksoi se qëllimi i tij ka qenë gjithmonë përfaqësimi dinjitoz dhe ndryshimi i sistemit.
Lapaj deklaroi se nuk është bërë pjesë e pazareve politike dhe ka refuzuar çdo ofertë për të bashkëpunuar me pushtetin. Ai e konsideroi padrejtësi mënyrën se si u shpërndanë mandatet dhe tha se “Shqipëria Bëhet” përfaqëson mbi 80 mijë qytetarë që sot nuk kanë zë në Kuvend për shkak të sistemit elektoral aktual.
Lapaj u shpreh i zhgënjyer nga Endri Shabani, duke thënë se ndjehet i tradhtuar nga një mik me të cilin kishte ndarë 12 vite miqësi.
Adriatik Lapaj: Ne nuk kemi pasur luftë për një mandat, por për lista të hapura. Nëse do të doja që të isha në atë parlament, do e kisha të thjeshtë, sepse kam firmosur unë atë listë. Por ne kemi dashur të hapim garën. Ne e bëmë marrëveshjen për qytetarët, beteja ka qenë gjithmonë për garën. Sa do e mbaj unë fjalën apo jo, duhet të merrja mandatin, e pastaj mund të gjykohesha. Duhet të ecnim vetëm në rrugën tonë, unë dhe z Shabanaj e shohim politikën pak ndryshe. Nuk na bën deputetllëku që të mbajmë anën e së drejtës, ne jemi përfaqësues të 80 mijë qytetarëve. Më kanë kërkuar, unë kam refuzuar që të bëhem palë me pushtetin.
U bë padrejtësi, do qëndroj deri në fund në parimet e mia dhe në parimet tona. “Shqipëria bëhet” është lëvizje model. Angazhimi ynë do jetë akoma më i fortë. Beteja jonë nuk do jetë në parlament. Dajko është zonjë e nderuar, është nëna e një prej kandidatëve tanë. Beteja do jetë rrugëve të atdheut. Ndihem i tradhtuar nga z Shabani, ishte mik i imi për 12 vite, ka ngrënë bukë në shtëpinë time. Kjo ishte arsye pse ula vigjilencën, sepse nuk e prisja që mund të ndodhte nga një shok dhe mik, se e kam pasur shok. Beteja jonë do jetë që të përfaqësohemi nga ata njerëz që duan votuesit. Njerëzit do na mbështesin, sepse kandidatët tanë janë njerëz me formim të shkëlqyer. Na u bë padrejtësi, politika shqiptare na ka borxh 7 mandate. Njerëzit e dinë të vërtetën. Kodi Zgjedhor do ndryshojë në Shqipëri. 80 mijë shtetas që kanë votuar për ne dhe nuk përfaqësohen, për shkak të ligjit elektoral dhe për një politikë, që bën pazare.







