Pas tri javësh pushimi veror, Edi Rama është rikthyer ditën e djeshme në zyrën e tij në Kryeministri duke u futur menjëherë në punë për të avancuar projektin e tij më të ri që thuhet se do të shpaloset në shtator për të ulur numrin e ministrave dhe njëkohësisht për të fuqizuar drejtoritë që pritet të marrin rolin kryesor në qeverisje. Burime pranë mazhorancës thonë se Rama do të prezantojë një kabinet të ri me vetëm 9-10 ministri, nga 17 që janë në qeverinë aktuale. Paralelisht, do të krijohen superdrejtori të reja, të cilat do të marrin kompetenca të zgjeruara në menaxhimin e sektorëve kyç. Në këtë formulë, ministrat do të kthehen në figura politike dekorative, ndërsa vendimmarrja reale do të zhvendoset tek drejtuesit e administratës. Në praktikë, kjo është një qeveri me “pak kalori politike”, por me një aparat burokratik të fortë dhe të centralizuar që kontrollohet direkt nga Edi Rama. Kjo lëvizje nuk vjen në vakum. Kryeministri ka dalë publikisht në mbrojtje të ministrave të tij sa herë SPAK ka nisur hetime për aferat e koncesioneve. Por kur ata përfunduan të pandehur e disa edhe pas hekurave, Rama u distancua duke thënë se PS-ja nuk është “avokat i atyre që hanë dardha pas shpine”. Realiteti, megjithatë, është tjetër: çdo kontratë koncesionare ka pasur firmën, nismën dhe udhëzimin e kryeministrit. Dhe tani që sirtarët e SPAK janë mbushur me dosje për ministra e sekretarë të përgjithshëm, është shpikur një zgjidhje ligjore: transferimi i kompetencës së firmosjes së akteve dhe vendimeve financiare nga ministrat te drejtorët qendrorë.