Nga sot është hapur për qarkullim ura e re mbi lumin Ibër e cila lidh pjesën veriore dhe jugore të Mitrovicës. Hapja e urës është mirëpritur nga mitrovicasit të cilët besojnë që kjo urë do t’ua lehtësojnë lëvizjen dhe përmirësoj mirëqenien e banorëve në të dyja anët e qytetit.
Hapja e kësaj ure ishte paraparë të ndodhte më 1 shtator, por Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës në veri të vendit vendimi që ura të hapet sot është ndërmarrë nga institucionet përkatëse.
Elshani për KosovaPress tha se aktualisht në afërsi të urës po qëndrojnë vetëm pjestarë policorë të rendit, ndërsa njësia speciale janë larguar.
Ndonëse thotë se nuk ka ndonjë indicie për ndonjë incident, Elshani thotë se nëse do të ketë diçka në këtë drejtim atëhërë do të intervenojë Policia e Kosovës.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës bënë thirrje tek banorët shqiptarë të lënë anash patriotizmin.
Elshani: Situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë e stabile
“Situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë dhee stabile. Është delikate dhe vazhdon të jetë delikate për shkak të zhvillimeve politike që kanë ndodhur. Mirëpo nuk ka diçka të jashtëzakonshme për ta theksuar…. Kjo urë sipas planifikimeve që ne i kemi ditë ka qenë me u liruar më 1 shtator, por është lëshuar pak më herët. Është vendim i institucuoneve përkatëse qe kjo të bëhet. Ne i kishim marrë të gjitha masat që mos të na zënë ndonjë befasi kishim policët fillimisht pastaj njësinë speciale sot i larguam njësitë speciale prej aty janë policët e rendit. Kjo është më shumë me pa qytetarët se kjo është urë jo diçka tjetër…Konsiderojmë se nuk do të ketë ndonjë problem. Prej momentit të lëshimit të urës e tutje kjo është çështje policore, policia merret me ndonjë problem…nuk ka nevojë të ketë ndonjë patriotizëm të panevojshëm, nuk kemi nevojë me pa flamuj nuk ka diçka të jashtëzakonshme që munden më e bë sepse ne do të reagojmë ashtu siç kemi reaguar”, u shpreh ai.
Punëkryesi i urës, Jahir Nimani tha se brenda 40 ditëve kanë arritur ta finalizojnë ndërtimin e urës.
Ai theksoi se kjo urë ka qëndrueshmëri teknike të lartë.
Nimani: Ura është shumë e fortë, gjithçka është bërë me testime
“E fortë është… gjithçka është bërë me testime dhe përmasa inxhinierike dhe në bazë të përvojës time 30 vjeçare gjithçka është në rregull…. Gjithçka është e përfunduar dhe e kryer”, u shpreh ai.
I lumtur që tashmë veriu e jugu u bashkuan me urë që lejon qarkullimin shprehet edhe mitrovicasi, Ymer Konjuhi. Ai thotë se urat krijojnë lidhje e jo ndasi.
Konjuhi: Ura ndërtohet për të lidhur vendet jo për t’i ndarë
“Ura ndërtohet për të lidhur vendet jo për t’i ndarë apo siç ka qenë deri tash e gëzofshin të gjithë njerëzit dhe vjen duke u normalizuar gjendja, duke u këndellur dhe duke shkuar përpara se veç duke ndërtuar ura ndërtojmë të ardhmen”, tha Konjuhi.
Hapjen e urës që lidh veriun dhe jugun e Mitrovicës e ka mirëpritur edhe qytetari, Mustafë Shala. Ai thotë se kjo urë do të lehtësoj jetën e qytetarëve.
Shala: Si qytetar i Mitrovicës sot e ndjej vetën të unifikuar sepse gjithmonë urat lidhin njerëz
“Edhe unë si qytetar i Mitrovicës sot e ndjej vetën të unifikuar sepse gjithmonë urat lidhin njerëz dhe besoj se kjo do të jetë sukses dhe do të jetë diçka pozitive edhe për qytetarët tanë, por edhe për pjesën tjetër banorët shqiptarë, serbë e boshnjak, serb që ata me kalu të lirë me qenë njëfarë bashkëpunimi një ndihmesë shumë e madhe për qytetarët”, tha ai.
E banorët serb që jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës kanë mendime të ndara për hapjen e urës së re.
Ditë të parë në një përgjigje për KosovaPress nga KFOR kanë thënë se nuk janë të përfshirë në ndërtimin e dy urave që po ndodh në Mitrovicë.
Sipas tyre roli i KFOR-it është të kontribuojë në ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, përfshirë edhe në Mitrovicën e Veriut.
Ndër të tjerash në përgjigjen për KosovaPress thuhet se KFOR ka praninë në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe vazhdon të monitorojë situatën dhe mban një qëndrim fleksibil në mënyrë që të reagojë shpejt dhe me vendosmëri ndaj çdo zhvillimi të sigurisë në këtë zonë.
“KFOR nuk është i përfshirë në ndërtimin që po bëhet aktualisht në dy urat.
Roli i KFOR-it është të kontribuojë në ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, përfshirë edhe në Mitrovicën e Veriut. KFOR mban një prani të përhershme dhe të dukshme në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth. Në këtë kontekst, KFOR vazhdon të monitorojë situatën dhe mban një qëndrim fleksibil në mënyrë që të reagojë shpejt dhe me vendosmëri ndaj çdo zhvillimi të sigurisë në këtë zonë, në përputhje me mandatin e tij afatgjatë nga OKB-ja, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999”, kanë thënë nga KFOR për Agjencinë e Lajmeve “KosovaPress.
Më 1 korrik të këtij viti nisi ndërtimi i dy urave të reja kah urës kryesore mbi lumin Ibër.
Vlera totale për ndërtimin e tyre është rreth 3 milionë euro. Por, pak pas fillimit të këtyre punimeve, Prokuroria Speciale i ka nisur hetimet për kontratën nën dyshime për keqpërdorim të fondeve publike.
Institucionet përkatëse kosovare i filluan ndërtimin e dy urave me gjithë reagimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe kundërshtimet nga serbët në veri.