Tremujori i dytë i vitit nuk ka rezultuar pozitiv në drejtim të prodhimit të energjisë elektrike, pasi situata hidrike ndikoi në rënien me 4.6% të prodhimit neto vendas, në raport me tremujorin e dytë të vitit 2024. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave për periudhën prill – qershor të këtij viti u prodhuan 1.756 gWh, nga 1.840 gWh energji të prodhuar në tremujorin e dytë 2024. Sivjet prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 40.1 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 43.5 %, ndërsa 16.4 % u gjenerua nga centralet diellore.
Ulja e prodhimit ka ndikuar në rritjen e importit të energjisë, si dhe rënien e eksporteve. Sipas të dhënave nga INSTAT për këtë periudhë importi u rrit me 16.5%, ndërsa eksportet shënuan rënie me 4.1%, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo ka ndikuar në financat e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare që ka rritur shpenzimet për blerje energjie.
Ndërkaq, humbjet në rrjet, duke përfshirë rrjetin e transmetimit dhe atë të shpërndarjes arritën vlerën 320 gWh nga 323 gWh, duke shënuar kështu një rënie me 1%. Pesha që zënë humbjet në rrjet në totalin e energjisë elektrike në dispozicion gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025 është 17.3 % nga 18 % që ishte në tremujorin e dytë të vitit 2024.
Paralelisht, përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në periudhën prill – qershor 2025, u rrit me 3.3 %.